Shefi i njësisë së Mjekimit Intensiv Qendror, anesteziologu Shaqir Uka, ka dhënë detaje shtesë, mbi rastin e vdekjes së një lehone 31 vjeçare në Qendrën Klinike në Prishtinë.
Ai u shpreh për Klan Kosovën, se pacientja në fjalë kishte komplikime në fund të terminit të lindjes, ku gjatë përfundimit të intervenimit kirurgjik e njëjta, kishte pësuar një kollaps të përgjithshëm me ndalje të plotë të punës së zemrës [Arrest kardiak].
”Pacientja është sjellë një ditë më herët në Klinikën e Gjinekologjisë, ajo ka qenë në javën e 32-të të shtatzënisë dhe ka qenë një shtatzëni që në fund të terminit, është përcjell me komplikime. Dhe pas kontrollës dhe evaluimit të përgjithshëm nga ana e gjinekologëve, pacientja në fjalë i është nënshtruar intervenimit kirurgjik. Në momentin kur është dashtë të përfundojë intervenimi kirurgjik, pacientja ka pësu një kollaps të përgjithshëm me ndalje të plotë të punës së zemrës, dhe është dashtë të mirren të gjitha masat e ringjalljes nga ekipa mjekësore që kanë qenë prezentë dhe ekipa që është ftu për ndihmë”.
”Pacientja është sjell në mjekimin intensiv qendror, pas rikthimit të aktivitetit të zemrës, pas ringjalljes, pastaj ka vazhdu tretmani i mëtutjeshëm i saj, duke u marrë me të gjitha komplikimet që kanë lind si pasojë e kësaj problematike. Ju kanë bë shumë ekzaminime laboratorike dhe radiologjike për të vëretu arsyeshmërinë pse ka ardh deri tek kjo gjendje. Sipas të gjitha gjasave, këto kanë qenë probleme që kanë lindë si pasojë e një shtatzënie të komplikuar në fund, dhe ajo nuk ka mundur pavarësisht tretmanit intensiv, që të përballojë këtë gjendje dhe fatkeqësisht dje në orët e pasdites ajo ka ndërru jetë”.
A e ka kuptuar familja drejt situatën e pacientes?
”Neve kemi biseduar çdo ditë me anëtarët e familjes, ka ndodhë që kemi bisedu edhe disa herë brenda ditës, pavarësisht asaj se ne kemi një kohë të caktuar kujdestarie ku ekipa mjekësore komunikon me familjarë dhe u tregon gjendjen e pacientit të tyre, u kemi shpjeguar në detaje se çka ka ndodhë, dhe unë besoj se familja ka qenë në skajshmëri të informuar për gjithçka ka ndodhë rreth gjendjes së pacientes në fjalë”.
”Fatkeqësisht, ajo çka neve na vjen keq dhe shprehim edhe hidhërimin tonë si punëtorë mjekësorë, që ne s’e kemi pasë atë fuqi, që pacienten e tillë ta mbajmë në jetë, përkundër gjithë angazhimit maksimal të të gjitha ekipeve. Familjarëve edhe u kemi dhënë mundësinë që pacientja në fjalë ta dërgojnë në obduksion mjekoligjor, mirëpo të njëjtit nuk kanë pranuar dhe nuk kanë qenë të pëlqimit për këtë gjë”.
Mes tjerash, Shaqir Uka, tha se pacientja vinte nga një fshat i rajonit të Llapit, derisa foli edhe për rastin e vdekjes së foshnjës.
”Sa kemi informata, foshnja ka vdekë disa ditë pas kryerjes së lindjes. Me sa unë di edhe foshnja ka qenë në javën e 32-të, ka qenë në lindje para kohe”.
”Pacientja në fjalë, është nga rajoni i Podujevës. Aq sa dimë ne, nuk mund të themi me siguri të plotë sesi e ka pasë ecurinë e mbajtjes së shtatzënisë. Nuk e dimë datën kur është paraqitur më herët, e dimë datën se ajo është paraqitur në Gjinekologji më datën 19 kurse intervenimi është kryer më datën 20 dhe pas arrestit kardiak transferimi ka ndodhë më datën 20”.
The post Vdekja e lehonës, anesteziologu Uka thotë se pacientja pati kollaps me ndalje të plotë të punës së zemrës appeared first on Klan Kosova.