Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, ka shpallur të hënën ditë zie në nder të stilistit të madh Giorgio Armani, i cili ndërroi jetë së fundmi, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në botën e modës.
Kjo ditë zie përkon me funeralin e ikonës italiane, emri i së cilës është i gdhendur thellë jo vetëm në historinë e Milanos, por edhe në skenën ndërkombëtare të modës.
“Giorgio Armani ishte dhe do të mbetet përgjithmonë një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të modës italiane dhe milaneze në mbarë botën.”, tha Sala në një deklaratë zyrtare.
Kryebashkiaku e përshkroi Armanin si një personalitet “plot talent dhe interesa”, i cili me elegancën dhe stilin e tij të përmbajtur krijoi një gjuhë të re në modë, duke e reflektuar edhe balancën e karakterit të tij.
Sala theksoi se Milanos do t’i mungojë jo vetëm vizioni i tij krijues, por edhe angazhimi i vazhdueshëm në jetën kulturore dhe qytetare të kryeqendrës italiane të modës.
Armani, themelues i një prej markave më të njohura dhe prestigjioze në botë, për dekada me radhë ishte simbol i elegancës italiane, duke ndikuar fuqishëm në formësimin e identitetit kulturor të Milanos.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!