Gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” vazhdon sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku pritet që ekipet e mbrojtjes të nisin pyetjet për Dëshmitarin 7.
Në javën e kaluar, ZPS-ja paraqiti një përmbledhje të akuzave, pas së cilës të paktën pesë të akuzuarit e konfirmuan pafajësinë e tyre. Më pas, ZPS-ja nisi deklaratën hyrëse.
Pas përfundimit të deklaratës së ZPS-së, mbrojtësja e Bashkim Smakajt përmbylli deklaratën e saj hyrëse, ndërsa mbrojtja e Kilajt vazhdoi me paraqitjen e deklaratës hyrëse.
Pas përfundimit të deklaratave hyrëse nga ZPS-ja dhe ekipet e mbrojtjes së Smakajt dhe Kilajt, ZPS-ja thirri dëshmitarin e parë, i cili dha dëshminë nën masa mbrojtëse si Dëshmitari 7.
Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 6 dhjetor 2024.
Hashim Thaçi iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçi iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen me shkrim deri më 7 janar 2025.
Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar dhe u bë publik më 14 janar 2025..
Më 11 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake njoftoi kryetaren se dosja e çështjes do të ishte gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm për gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm. Konferenca për përgatitjen e gjykimit u mbajt më 28 nëntor 2025, ndërsa gjykimi filloi më 27 shkurt 2026.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


