Vance: SHBA-të kanë ende shumë punë për të bërë që lufta në Gaza të përfundojë totalisht

news image

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, deklaroi sot se edhe pse lirimi i pengjeve izraelite nga Gaza është afër, puna e SHBA-ve nuk ka përfunduar ende për të siguruar që lufta të mos rinisë.

Në një intervistë për emisionin Meet the Press të NBC-së, Vance tha se administrata është e përkushtuar të monitorojë zbatimin e marrëveshjes për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.

“Ne kemi ende shumë punë për të bërë për të siguruar që lufta të mbetet e përfunduar”, theksoi ai.

I pyetur nëse SHBA-të do të angazhohen me trupa në terren për të garantuar paqen, Vance u shpreh qartë se kjo nuk është pjesë e planit.

“Ai [Presidenti] nuk ka në plan të dërgojë ushtarë në Gaza apo Izrael. Ne kemi trupa të Komandës Qendrore që janë tashmë në rajon dhe që do të monitorojnë këtë marrëveshje paqeje,” sqaroi ai.

Zëvendëspresidenti gjithashtu theksoi rolin e presidentit amerikan në arritjen e marrëveshjes, duke theksuar qasjen e tij të re në diplomaci:

“Presidenti theu modelin tradicional të diplomacisë dhe u dha autoritet të jashtëzakonshëm njerëzve që nuk ishin më parë pjesë e këtij procesi, si Steve Witkoff dhe Jared Kushner,” tha Vance.

“Kjo qasje solli një marrëveshje që 30-40 vite diplomaci nuk arritën ta sigurojnë,” shtoi ai.

Sipas Vance, presidenti amerikan pritet të vizitojë Lindjen e Mesme për të përshëndetur lirimin e pengjeve izraelite dhe për të mbështetur përmbylljen e këtij kapitulli të dhunshëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/