Vajza transgjinore e Elon Musk bën debutimin e saj në Javën e Modës në New York

Vajza transgjinore e Elon Musk bën debutimin e saj në Javën e Modës në New York

Vivian Wilson, vajza 21-vjeçare e Elon Musk, ka realizuar ëndrrën e saj për një karrierë në modeling duke debutuar në pistën e Javës së Modës në New York. Hapat e saj të parë në botën e modës së lartë i bëri në prezantimin e koleksionit pranverë/verë 2026 të Alexis Bittar, duke hapur kështu një kapitull të ri në karrierën e saj.

Brendi i njohur i bizhuterive solli një shfaqje teatrale, ku ndërthurte komentin shoqëror me referenca stilistike nga filmat surrealistë dhe klasikë. Koleksioni ishte i frymëzuar nga vepra ikonike si Blue Velvet, Carrie, The Virgin Suicides dhe Eyes Wide Shut, duke e interpretuar në mënyrë të zymtë e ëndërrimtare konkursin Miss USA 1991.


Çdo modele në pistë përfaqësonte një shtet amerikan që aktualisht është në qendër të debatit për të drejtat e personave transgjinorë, duke e shndërruar shfaqjen në një deklaratë të fuqishme për çështjet sociale.

Vivian përfaqësoi Karolinën e Jugut, ndërsa në pistë iu bashkuan edhe emra të njohur si Tommy Dorfman, e cila u shfaq si Miss Virginia Perëndimore.

E njohur për aktivizmin e saj, vajza transgjinore e Musk ka folur shpesh për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit trans dhe grupeve të tjera të margjinalizuara. Në një intervistë të mëparshme ajo kishte theksuar: “Nuk janë vetëm personat trans ata që preken nga administrata aktuale. Janë edhe emigrantët pa dokumente, njerëzit me ngjyrë… Unë po përpiqem të bëj më shumë avokim në këtë drejtim, pasi qasja e tyre ka qenë si një top shkatërrimi”.

Në debutimin e saj, Vivian u shfaq me një fustan të kuq me detaje të arta dhe vathë të gjatë e të veçantë. Karriera e saj e re në pistë do të vazhdojë me paraqitje në disa nga emrat më të njohur të modës, përfshirë Prabal Gurung dhe Dauphinette. /Telegrafi/