Vajza nga Turqia, Tajvani dhe Anglia mësojnë thurjen e qilimave në Korçë

Vajza nga Turqia, Tajvani dhe Anglia mësojnë thurjen e qilimave në Korçë

Korça, qytet i njohur për artizanatin dhe trashëgiminë e pasur kulturore, ka tërhequr këtë herë tri vajza të huaja, të cilat po mësojnë mjeshtërinë e thurjes së qilimave, një zanat i lashtë dhe me vlera të mëdha kulturore.

Një prej tyre është Burxhu, e cila ka lidhje të veçantë me qytetin, pasi nëna e saj është nga Korça, ndërsa babai turk. Ajo jeton në Tiranë dhe e konsideron këtë përvojë jo vetëm si pasion, por si një rikthim tek rrënjët e familjes.


“Jam Burxhu, jetoj prej 8 vitesh në Shqipëri. Mami im është nga Korça dhe babai nga Turqia. Kam shumë dëshirë të mësoj diçka të re dhe kjo është hera e parë që merrem me thurje qilimash. Më pëlqen shumë tradita dhe dua të përfitoj për një projekt më të madh,” thotë ajo.

Krahas saj, dy vajza të tjera nga Tajvani dhe Anglia kanë zgjedhur gjithashtu të mësojnë këtë zanat të vjetër, të mahnitura nga bukuria e traditave shqiptare. Ato shprehin dashurinë e tyre për motivet, ngjyrat dhe simbolikën e qilimave shqiptarë.

“Përherë pyesja veten nëse mund të bëj një qilim të bukur kur e pashë për herë të parë në Pazarin e Vjetër në Korçë. Jam shumë e lumtur që po mësoj tani dhe dua që qilimin ta marr me vete në Tajvan,” rrëfen njëra prej tyre.

Ndërsa vajza nga Anglia shprehet: “E pashë online këtë mundësi dhe gjithmonë kam dashur të mësoj të thurr qilima. Erdha nga Tirana në Korçë për të mësuar dhe dua ta ruaj këtë traditë.”

Kjo iniciativë është nisur nga një sipërmarrje lokale në Korçë, ku vajzat e reja mësojnë çdo javë artin e thurjes së qilimave në Qendrën Rinore të qytetit. Në këtë ambient, zanati i lashtë i tezgjahut ndërthuret me frymën rinore dhe gjeneratat e reja.

– YouTube youtu.be