Shota Bukoshi, vajza e ish-kryeministrit të parë të Kosovës, Bujar Bukoshi, përshkroi anën njerëzore të babait të saj, i cili ndërroi jetë të martën në moshën 78 vjeç.
Ajo tha se doktori kirurg, si baba, bashkëshort dhe si gjysh, “aq sa ishte i saktë në skalperin e operacionit, aq ishte edhe i drejtpërdrejt dhe i guximshëm në ndjekjen e vizionit për vendin tonë”.
“Po aq ishte mbështetës, plot dashuri dhe me humor kur ishte te ne në shtëpi”, tha ajo.
Shota Bukoshi tha se vitet e fundit, kur ish-kryeministri po përballej me një sëmundje të rëndë, njohën një tjetër dimension të tij.
“Në vitet e fundit kur ai u përball me një sëmundje të rëndë, ne njohëm edhe një baba tjetër: luftëtarin që sfidonte sëmundjen me të njëjtën vendosmëri me të cilën përballonte vështirësitë që i sillte politika. Deri në fund të jetës së tij, ai na tregoi se të luftosh për të jetuar, do të thotë të jetosh si njeri i lirë në mendje dhe të mos tërhiqesh përballë asnjë pengese”.
Ajo i falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan Bukoshin dhe familjen e tij në këto kohë.
“Në dhimbjen tonë, është një ngushëllim i madh të shohim se vepra e tij dhe kontributi i tij po vlerësohen”, tha Shota Bukoshi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!