Mirëmbajtja e shëndetit të zorrëve është bërë së fundmi një nga temat më të përfolura në rrjetet sociale.
Që nga konsumimi i ujit me fara chia në mëngjes e deri te shtimi i xhelit të myshkut të detit në smoothie për “shërimin” e zorrëve, këto produkte janë vlerësuar për shumë përfitime, nga përmirësimi i humorit e deri te më shumë energji.
Megjithatë, shkencëtarët thonë se realiteti është më i komplikuar se ç’fshihet pas këtyre ushqimeve ‘virale’, sepse është një fushë që paraqet studime dhe të dhëna të reja çdo ditë.
Ndërsa mikrobioma e zorrëve luan një rol vendimtar në mirëqenien tonë, provat për konsumimin e këtyre produkteve janë të pakta dhe, për shumicën e njerëzve të shëndetshëm, fiksimi për “shërimin” e zorrëve mund të jetë i panevojshëm. Prezantuesja e emisionit shkencor të BBC, Caroline Steel, e përshkruan zorrën si të gjithë traktin tretës, nga goja deri në anus. Sipas saj, brenda zorrës jeton mikrobioma, e cila përfshin triliona baktere, viruse dhe kërpudha që luajnë një rol vendimtar në mënyrën se si funksionon trupi dhe “ndikojnë në shëndetin tuaj mendor dhe fizik”. “Mikrobioma e zorrës është më unike se shenjat e gishtave”, pohon Steel.
Mikrobiologu Alan Walker dhe shkencëtarja e shëndetit të zorrëve, Dr. Megan Rossi, thonë se shumë ushqime në trend përmbajnë një “sasi të vogël të së vërtetës”, por shpesh shiten si produkte mrekullibërëse. Uji me fara chia është i pasur në fibra, megjithatë Walker shpjegon se mikrobe të ndryshme ushqehen me fibra të ndryshme, kështu që diversiteti ka më shumë rëndësi se çdo përbërës i vetëm. “Nuk ka dëm në pirjen e ujit me fara chia, por ka pak përfitime më vete”, shprehet ai.
Konsumimi i vajit të ullirit konsiderohet gjerësisht se ka përfitime anti-inflamatore, është i shëndetshëm për zemrën dhe mund të ndihmojë në lehtësimin e kapsllëkut, shpjegon Walker. Megjithatë, ka pak prova që marrja e tij në porcione të koncentruara forcon në mënyrë specifike mikrobiomën. “Nuk ka ndonjë ndryshim domethënës midis pirjes së tij direkt dhe shtimit të tij në ushqimin tuaj”, thotë Walker.
Xheli i myshkut të detit është një lloj alge deti, që është bërë një produkt trend pasi ofron fibra dhe vitamina e minerale të caktuara. Dr. Rossi shprehet se “ka shumë pak prova shkencore që mbështesin përdorimin e tij për përmirësimin e mikrobiomës së zorrëve ose funksionin tretës”. Nga ana tjetër, mikrobiologu Alan Walker pohon se disavantazhi i mundshëm i xhelit të myshkut të detit është se algat janë një burim i metaleve të rënda dhe jodit, dhe marrja e tepërt mund të shkaktojë probleme shëndetësore.
Lëngu i kockave, të cilin shpesh në rrjetet sociale e përgatisin duke zier kockat e kafshëve në ujë me uthull dhe bimë aromatike ose perime për të paktën 24 orë, ka për qëllim nxjerrjen e proteinave dhe mineraleve. Walker thotë se shumica e lëndëve ushqyese të kësaj përmbajtjeje absorbohen në zorrën e hollë, ndërsa shumica e mikrobeve të zorrëve jetojnë në zorrën e trashë. Kjo do të thotë se pak arrin te vetë mikrobet. “Nuk ka prova të forta se ka efekte të dobishme sistematike në mikrobiomën e zorrëve”, shton ai. Rossi pajtohet dhe shton se ajo ka parë “efektin negativ që mund të ketë në nivelet e kolesterolit nëse yndyra e ngopur nuk hiqet nga sipërfaqja e saj”.
Në këto raste, Steel shpjegon se është e rëndësishme që njerëzit të kërkojnë këshilla mjekësore në vend që të drejtohen në dieta ekstreme eliminuese. “Shumica prej nesh nuk kanë nevojë të shërojnë zorrët, pasi nëse zorrët janë të shëndetshme, asnjë nga këto gjëra nuk do të bëjë ndonjë ndryshim”. Konsumimi i më shumë bimëve, rritja e fibrave dhe minimizimi i konsumit të ushqimeve të përpunuara është më e rëndësishme për mirëmbajtjen e zorrëve sesa ndjekja e trendeve në rrjetet sociale”, shprehet ndër të tjera ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


