Ushtria izraelite arreston aktivistët, ndalon anijen me ndihma që ishte nisur drejt Gazës

news image

Izraeli ka ndaluar anijet e Flotiljes Globale Sumud dhe aktivistët në bord që ishin nisur për të thyer rrethimin e Gazës dhe për t’u dërguar ndihma banorëve të enklavës.

Ministria e Jashtme e Izraelit tha se personat në bord do të transferoheshin në një port izraelit për t’u dëbuar më pas për në Europë.

Teksa një pjesë e anijeve u ndaluan, anëtarë të flotiljes thanë se disa të tjera po lundronin drejt Gazës, duke u afruar me destinacionin e synuar.

Aktivistët thanë se disa anije u goditën nga topat e ujit dhe akuzuan Izraelin se është gati të shkojë në ekstrem për të mbajtur Gazën të uritur dhe të izoluar.

Ministria e Jashtme Izraelite tha se flotilja ishte informuar se po shkelte një bllokadë detare të ligjshme në ujërat pranë Gazës, megjithëse është e paqartë nëse anijet kishin hyrë në zonën e bllokadës.

Në një skenar të ngjashëm si me flotiljen e Lirisë disa muaj më parë, ministria e jashtme izraelite postoi pamje që tregonin Greta Thunberg të ulur në kuvertën e një anijeje dhe një ushtar izraelit që u jepte ujë dhe një xhaketë.

Në nisje, Flotilja Globale Sumud mbante 500 parlamentarë, avokatë dhe aktivistë. Misioni është përpjekja e fundit nga deti për të thyer bllokadën e Izraelit ndaj Gazës, pjesa më e madhe e së cilës është shndërruar në një shkretëtirë rrënojash nga pothuajse dy vjet luftë.

Ndalimi i anijeve u shoqërua me protesta dhe reagime në të gjithë botën. Njerëzit dolën në rrugë në solidaritet me flotiljen në Itali, Spanjë, Kolumbi dhe Argjentinë.

Ndërkohë Komisioneri i Lartë i OKB për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, i bëri thirrje Izraelit që të heqë urgjentisht bllokadën ndaj Gazës dhe të lejojë hyrjen e ndihmave.

Ministria e Jashtme e Turqisë e dënoi nderhyrjen izraelite si një “akt terrorizmi” dhe bëri thirrje që “autorët e këtij sulmi” të mbahen përgjegjës.

Ministri i Jashtëm i Italisë tha se ishte siguruar nga Izraeli se forcat e tij të armatosura nuk do të përdornin dhunë kundër 500 personave në bord, përfshirë politikanë francezë dhe italianë.

Ndërkohë në zhvillime të tjera në Europë, autoritetet gjermane arrestuan tre të dyshuar si anëtarë të Hamasit, që besohet se po përgatiteshin për një akt të rëndë dhune në Gjermani.

Sipas prokurorëve, tre burrat dyshohet se ishin të përfshirë, të paktën nga vera e këtij viti, në sigurimin e armëve të zjarrit dhe municioneve për Hamasin, me qëllim përdorimin e tyre në atentate ndaj institucioneve izraelite ose hebraike në Gjermani.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/