Edhe pse melatonina përdoret më së shpeshti si suplement, ekzistojnë edhe ushqime që e përmbajnë në mënyrë natyrale
Melatonina është një hormon që prodhohet kryesisht nga gjëndra pineale në tru dhe shpesh quhet “hormoni i gjumit”, sepse rregullon ciklin natyror të gjumit dhe zgjimit. Prodhimi i saj ndikohet nga drita: në errësirë rritet, duke i dhënë trupit sinjalin për t’u qetësuar e për të fjetur, ndërsa me agimin bie, duke e përgatitur trupin për zgjim.
Kur niveli i melatoninës bie për shkak të pagjumësisë, çrregullimeve të bioritmit, punës në turne nate apo disa sëmundjeve – gjumi bëhet më sipërfaqësor, zgjimi më i vështirë dhe trupi humb ndjenjën e qartësisë dhe freskisë.
Ushqimet që përmbajnë melatonin
Bananet janë burim natyral i melatoninës dhe mund ta rrisin nivelin e saj në gjak. Përveç kësaj, ato janë të pasura me kalium, i cili ndihmon në rregullimin e tensionit të gjakut, funksionin e zemrës dhe muskujve, si dhe në parandalimin e ngërçeve. Kombinimi i melatoninës me mineralet bën që trupi të qetësohet para gjumit.
Studimet tregojnë se konsumimi i përditshëm i kivit përmirëson cilësinë e gjumit. Personat që e kanë ngrënë një orë para gjumit kanë rënë më shpejt në gjumë, kanë fjetur më gjatë dhe më qetë. Kivi përmban gjithashtu antioksidantë dhe fibra, që mbështesin shëndetin e përgjithshëm.
Lëngu i qershisë është një nga burimet më të njohura natyrale të melatoninës. Kërkimet kanë treguar se konsumimi i rregullt i këtij fruti zgjat kohën e gjumit dhe rrit përqindjen e gjumit të thellë.
Nga të gjitha frutat e thata, fëstëkët kanë përmbajtjen më të lartë të melatoninës. Ato janë gjithashtu burim i proteinave bimore, yndyrnave të shëndetshme, antioksidantëve dhe mineraleve, gjë që i bën shumë të dobishme për relaksimin e organizmit dhe një gjumë më të qetë.
Peshku, veçanërisht salmoni, ndihmon për një gjumë më cilësor kryesisht falë përmbajtjes së lartë të acideve yndyrore omega-3 dhe vitaminës D. Mungesa e vitaminës D lidhet me uljen e melatoninës dhe çrregullime të gjumit. DHA, një formë e omega-3 që gjendet te salmoni, stimulon drejtpërdrejt prodhimin e melatoninës në trup, transmeton Telegrafi.
Si të sigurojmë më shumë melatonin në mënyrë natyrale?
Duke përfshirë në ushqyerjen e përditshme produkte që përmbajnë melatonin, mund të mbështesim në mënyrë natyrale ritmet biologjike të trupit dhe të përfitojmë një gjumë më të qetë.
Duhet kujdes: konsumi i frutave para gjumit nuk është gjithmonë zgjidhja më e përshtatshme për të gjithë. Çdo organizëm reagon ndryshe, prandaj është mirë të këshilloheni me një specialist të ushqyerjes nëse mendoni të plotësoni melatoninën përmes dietës.
Gjithsesi, një vakt i lehtë me fruta gjatë ditës është gjithmonë një zgjedhje e shëndetshme. /Telegrafi/