Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar sot gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, e cila u vra më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Poshtme.
Në seancën e radhës dëshmoi Valon Lluka, personi që sipas Prokurorisë ishte i pari që Naim Murseli e kishte kontaktuar pas ngjarjes.
Lluka tregoi se Murseli e kishte thirrur nga dy numra të ndryshëm telefoni, duke i dërguar fillimisht mesazhin: “Urgjent qele, urgjent Naimi”, ndërsa më pas i kishte shkruar nga një numër tjetër: “Qele, qele, qele”.
Sipas tij, mesazhin e fundit e ka ruajtur si fotografi dhe më pas ishte nisur drejt vendit të ngjarjes, por kishte hasur në pengesë nga policia.
“Policia nuk më ka lejuar të afrohem”, tha Lluka në gjykatë.
Dëshmitari shtoi se më vonë kishte shkuar në stacionin policor ku ndodhej Murseli dhe e kishte ngushëlluar pasi kishte mësuar për vdekjen e Liridonës.
Ai gjithashtu konfirmoi se pas intervistimit nga Policia, së bashku me Murselin dhe një person tjetër kishin shkuar në hotelin “Swiss”.
Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt fillimisht ishte inskenuar si grabitje. Për këtë ngjarje akuzohen tre persona: bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si porositës i vrasjes, dhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla si ekzekutorë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!