Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka zhvilluar një takim me urbanistë të njohur të kryeqytetit për të diskutuar mbi gjendjen aktuale të sheshit “Xhorxh Bush” dhe idenë e tij për rihapjen e kësaj rruge për qarkullim.
Në takim morën pjesë urbanistët Driton Tafallari, Endrit Mecini dhe Eliza Hoxha, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për propozimin e Ismailit, duke e cilësuar mbylljen e sheshit si një vendim të marrë pa konsultim paraprak dhe pa analiza të plota.
Ismaili theksoi se vendimi për mbylljen e kësaj arterie të rëndësishme të qytetit ka sjellë pasoja që shkojnë përtej ndikimit të bizneseve dhe banorëve të asaj zone:
“Mbyllja e kësaj arterie ka shkaktu një kaos të jashtëzakonshëm. Është bërë pa bashkëpunim me qytetarët dhe palët që jetojnë e punojnë këtu. Efekti nuk ka qenë vetëm në shesh, por në gjithë qytetin. Pas një analize, kam ardhë në përfundim se kjo rrugë duhet të hapet. Kur të krijohen kushtet, mund të rimendohet hapja e tij”, u shpreh ai.
Urbanisti Driton Tafallari theksoi se: “Nëse vendimi për këtë shesh nuk ka qenë i gabuar, gjithsesi ka qenë i ngutshëm – është e pamundur të bëhet një mbyllje e tillë pa menduar më parë alternativat”.
Ndërsa Eliza Hoxha vlerësoi se procesi ka qenë i paplotë në të gjitha aspektet:
“As nuk është respektuar hierarkia e planeve, as zona e objekteve të mbrojtura përreth, e as aktorët që duhet të përfshihen në vendimmarrje për hapësirat publike. Mbyllja ka qenë ad hoc – vetëm për t’u kryer një veprim”.
Arkitekti Endrit Mecini shtoi se një shesh për këmbësorë është i mirëpritur për të ardhmen e qytetit, por jo me këtë qasje:
“Prishtina duhet të shkojë drejt një qyteti për këmbësorë, por vetëm kur të ofrohen alternativat e duhura për qarkullim dhe kur qytetari të jetë i sigurt se një shesh i ri ia lehtëson jetën – jo ia vështirëson”.
The post Urbanistët mbështesin planin e Uran Ismailit: Vendimi pa plan për mbylljen e sheshit shkaktoi kaos trafiku në Prishtinë appeared first on Klan Kosova.