Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, është takuar sot me përfaqësuesit e Shoqatës së Kiosqeve të Prishtinës, ku ka biseduar për sfidat me të cilat përballen bizneset e vogla që operojnë në kryeqytet.
“Sot u takova me përfaqësuesit e Shoqatës së Kiosqeve të Prishtinës njerëz që çdo ditë punojnë për qytetin, por që prej vitesh janë lënë në harresë nga komuna. Qytetarë të ndershëm që punojnë pa siguri, pa kushte, dhe me leje të përkohshme që duhet të rinovohen çdo vit”, ka shkruar Ismaili.
Ai ka theksuar se në mandatin e tij, kjo do të ndryshojë.
“Kiosqet do të kenë status të rregulluar, kushte dinjitoze pune dhe trajtim të drejtë nga komuna. Askush që punon ndershëm nuk do të ndihet i përjashtuar në Prishtinën funksionale,” ka shkruar Ismaili. /Telegrafi/