Uran Ismaili nis takimet me vullnetarët e lagjeve: Prishtina është qyteti ynë i vetëm, s’kemi qytet të dytë

Uran Ismaili nis takimet me vullnetarët e lagjeve: Prishtina është qyteti ynë i vetëm, s’kemi qytet të dytë

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, është takuar me vullnetarët e lagjeve Bregu i Diellit, Muhaxherëve dhe Aktash, të cilët i janë bashkuar platformës “Koha për Prishtinën”.

Ismaili tha se këta qytetarë janë shembull i vendosmërisë për të mos qëndruar anash, por për të kontribuar së bashku në kthimin e kryeqytetit në një vend funksional dhe të jetueshëm.

“Njerëzit e këtyre lagjeve janë qytetarë që kanë vendosur të mos rrijnë anash. Duhet ta ngrisim zërin, Prishtina është qyteti ynë i vetëm, s’kemi qytet të dytë, nuk mund ta lëmë që në të të bëhen eksperimente. Ne kemi energji, kemi aftësi dhe kemi vullnet për ta bërë Prishtinën më të mirë,” tha ai.

Një prej vullnetareve që iu bashkuan ekipit të Ismailit u shpreh se: “Uran Ismaili është një prej nesh. Ai ka jetuar dhe vazhdon të jetojë me problemet tona të përditshme. Ka qenë menaxher i mirë dhe është zgjidhja e duhur për të gjithë.”

Ndërkohë, një vullnetar tjetër nga lagjja Bregu i Diellit, banor i “Banesave të Bardha”, tregoi për arsyet që e kanë shtyrë që bashkohet me ekipin e Ismailit; ai tregoi se në këtë zonë banorët ende përballen me mungesë të kushteve elementare: “Nuk kemi as lift, as ngrohje qendrore. Këto janë gjëra bazike, por deri sot nuk janë kry.”

Uran Ismaili ka ftuar qytetarët nga të gjitha lagjet e Prishtinës që t’i bashkohen vizionit të tij nëpërmjet faqes www.kohaperprishtinen.com, duke theksuar se koha për prioritizim e Prishtinës është tani.

The post Uran Ismaili nis takimet me vullnetarët e lagjeve: Prishtina është qyteti ynë i vetëm, s’kemi qytet të dytë appeared first on Klan Kosova.