Gjatë takimit, njëri nga qytetarët theksoi se Hajvalia ka nevojë për një qasje të re në qeverisjen lokale, duke shprehur mbështetje për vizionin e Ismailit dhe përvojën e tij të mëparshme në institucione publike, si puna e tij në Ministrinë e Shëndetësisë.
Ai u shpreh se duan të shohin të njëjtin angazhim dhe rezultat edhe në Komunë.
Ismaili tha se Hajvalia, me mijëra banorë, prej vitesh është lënë pas dore dhe i është mohuar kujdesi elementar nga qeverisja komunale.
Duke folur për programin e tij, ai theksoi:
“Kam premtuar gjëra të cilat janë praktike dhe që keni nevojë në lagjen tuaj. Edhe në momentin që ato realizohen – çerdhet, ndriçimi, trotuaret, transporti publik, largimi i qenve endacakë, ujë, kanalizim, drita. Dikush mundet të thotë që këto janë shumë bazike. Po, por neve po na mungojnë! Për mu është tepër e dhimbshme. Hajvalia ka mijëra banorë dhe kërkesat i ka bazike,” tha ai.
Ai shtoi se kjo gjendje është pasojë e diskriminimit dhe anashkalimit nga qeverisjet e kaluara, të cilat nuk janë interesuar për jetën e përditshme të qytetarëve.
“U lanë në harresë,” theksoi Ismaili, duke garantuar se programi i tij është gjithëpërfshirës dhe i bazuar në nevoja reale.
Ai u zotua se asnjë lagje dhe asnjë fshat i kryeqytetit nuk do të mbetet më pas dore, sepse Prishtina funksionale do të thotë shërbime të barabarta për të gjithë.