Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur të garojë sërish me Uran Ismailin për drejtimin e Prishtinës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Kjo u zyrtarizua përmes një publikimi të një video-spoti nga ana e PDK-së.
Analisti Rrahman Paçarizi tha se Ismaili është kandidat më serioz sesa që u paraqit në video-spot. Aty, ai tha se kandidati i PDK-së u bëri “diss” kundërkandidatëve të tij, Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekut (LVV).
“Zoti Uran Ismaili është një kandidat serioz. Madje, është më serioz sesa që u paraqit në spot. Spoti ishte një ‘diss’, pra thotë ‘këtu kam lind’, ku s’ka lindur (Hajrulla) Çeku, ‘këtu jam rrit’ dhe ‘këtu punoj e jetoj’ gjë që s’e ka bërë zoti Rama, kryetari aktual. Ky, disa elemente që nuk duhen trajtuar si cilësi, po përpiqet t’i sjell për vete”.
“Prandaj thash se e shoh kandidat më serioz sesa në këtë paraqitje”, tha Paçarizi.
Ai tha se beson se do të ketë një fushatë shumë interesante, pasi, sipas tij, “e ka bagazhin e një ministri të suksesshëm të Shëndetësisë”.
“Ka qenë një ministër që ka arritur të detyrojë qeverinë e asaj kohe të investojë shumë në shëndetësi. Njihet si person i cili nuk është përfshirë në asnjë aferë, nuk përflitet për korrupsion. Është një biznesmen i suksesshëm, dhe gëzon një reputacion të mirë”, tha më tej analisti Paçarizi.
Megjithatë, ai tha se nuk duhet harruar se “i ka po aq sharmera edhe Përparim Ramën dhe Hajrulla Çekun, e edhe Besa Shahinin që është goxha serioze”.
The post Uran Ismaili garon për Prishtinën, Paçarizi: Kandidat serioz, u bëri “diss” kandidatëve tjerë (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.