Universiteti i Prishtinës ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Universitetin Nacional Sun Yat-Sen të Tajvanit.
Lajmin për nënshkrimin e këtij memorandumi nga pala tajvaneze ua bëri të ditur nëpërmjet një emaili rektorit Arben Hajrullahu dhe prorektores Rozafa Basha, drejtoresha për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Nacional Sun Yat-Sen të Tajvanit, Tanya Hsu.
Në njoftimin e saj, zonja Hsu shprehu kënaqësinë që do ta shtojë Kosovën në listën e vendeve ku do të shkojnë studentët nga Tajvani, ndërsa tha se mirëpret edhe studentët kosovarë të UP-së që në të ardhmen e afërt mund të studiojnë në këtë vend, duke iu bashkuar komunitetit ndërkombëtar atje, transmeton Klankosova.tv.
Memorandumi i nënshkruar nga rektorët Arben Hajrullahu dhe Chih-Peng Li ka për qëllim të shtojë dhe ndihmojë bashkëpunimin akademik në fushat e trajnimit, kërkimit, zhvillimit të kurrikulës, edukimit pasuniversitar dhe shkëmbimit të studentëve e personelit mësimor.
Para se të nënshkruhej memorandumi, në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, gjatë janarit të vitit 2025 kishte ardhur për një takim, Anna Y. C. Ho, zëvendësdrejtoresha e Zyrës Përfaqësuese të Taipeit në Hungari.
Atëherë ishte folur rreth bursave që mund të ofrojë Universiteti Nacional i Tajvanit për studentët e Universitetit të Prishtinës.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>