Universiteti i Prishtinës ka vlerësuar me çmimin “Alumni Nderi i UP‑së” presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si personalitete publike që kanë qenë studentë të tij.
Presidentja Osmani shfaqi falënderimin e saj dhe theksoi se Universiteti i Prishtinës gjithmonë ka qenë simbol i dijes në vend dhe zemra akademike e Kosovës.
Ajo kujtoi që, si studente mësoi jo vetëm nga librat, por edhe nga gjeneratat që e kanë ndjekur rrugën e dijes, përvoja këto që e kanë formësuar edhe në rolin e saj aktual si presidente.
“Investimi në dije është investimi më fisnik që mund ta bëjë një vend”, u shpreh ajo.
Ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Universiteti i Prishtinës me kohë ka dëshmuar se dija, kur bëhet ndërgjegje, është gjithmonë akt lirie.
Ai u shpreh i nderuar dhe theksoi përkushtimin që UP‑ja të jetë universitet që rangon më lart në rajon.
Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë, rektori i Universitetit, prof. Arben Hajrullahu, theksoi se zgjedhja e Arsyes së Nderit për personalitete të tilla tregon se nga UP-ja kanë dalë presidentë, kryeministra dhe të tjerë që kanë shërbyer publikisht.
Ai kujtoi gjithashtu historinë e Universitetit: që nga demonstratat e vitit 1968 për universitet dhe flamur, deri te periudha e aparteidit kur studentët dhe profesorët u larguan me forcë nga ambientet universitare, duke u strehuar në shtëpi-shkolla për të vazhduar mësimin në rrugë alternative.
“Ju, të diplomuar të UP-së, me përpjekjet tuaja të përditshme për një shtet të së drejtës dhe një Kosovë më të zhvilluar e më të fortë, e bëni fort krenare edhe shtëpinë tonë të përbashkët, Universitetin e Prishtinës. Me këtë rast, kam nderin e veçantë që në emër të Universitetit të Prishtinës t’jua dorëzoj Çmimin ,,Alumni i Nderit i Universitetit të Prishtinës””, ka deklaruar Hajrullahu.
Në ceremoninë e organizuar, ishin të pranishëm përfaqësues institucionalë e akademikë, dekanë, profesorë dhe studentë të UP-së, që shprehën respekt për këtë akt mirënjohjeje ndaj figurave që lidhin rrugëtimin e tyre me këtë universitet. /Telegrafi/