Gjatë Konferencës së tretë vjetore mbi Arsimin e Lartë dhe Sigurimin e Cilësisë me temë “Arsimi i Lartë i Ndërkombëtarizuar – Kapërcimi i Kufijve dhe Bashkimi i Njerëzve” e organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, universiteti “Haxhi Zeka” ka pranuar Certifikatën e Cilësisë, një njohje prestigjioze që konfirmon përmbushjen e standardeve të larta të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Universitetit “Haxhi Zeka”.
Ky vlerësim u tha se është rezultat i politikave të konsoliduara akademike, praktikave të avancuara të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, si dhe përkushtimit të vazhdueshëm ndaj zhvillimit institucional dhe inovacionit në arsim.
Certifikatën në emër të universitetit e pranuan Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Rritje të Cilësisë, Edmond Beqiri, dhe Drejtoresha e Zyrës për Sigurim të Cilësisë, Gentiana Kastrati.
Tutje thuhet se suksesi i Universitetit “Haxhi Zeka” nuk përfaqëson vetëm një arritje të rëndësishme institucionale, por shënon një hap strategjik drejt konsolidimit dhe rritjes së qëndrueshme të universitetit.
“Përveç forcimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare, UHZ ka shënuar përparim të dukshëm në standarde të larta akademike, kërkim shkencor inovativ dhe programe mësimore cilësore, duke krijuar një ambient akademik frytdhënës, që stimulon eksperiencë ndërkombëtare, shkëmbim dijesh dhe zhvillim profesional të stafit dhe studentëve. Ky progres e vendos Universitetin “Haxhi Zeka” si një institucion lider në rajon”, thuhet në njoftim.
Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Armand Krasniqi, vlerësoi arritjen si një dëshmi të përkushtimit dhe profesionalizmit të stafit akademik dhe studentëve.
“Pranimi i Certifikatës së cilësisë konfirmon se Universiteti ‘Haxhi Zeka’ ofron standarde të larta mësimore dhe kërkimore, duke e vendosur institucionin tonë në hartën ndërkombëtare të arsimit të lartë. Ky është një moment historik dhe një motiv shtesë për të avancuar më tej cilësinë dhe inovacionin në çdo aspekt të veprimtarisë tonë akademike”, tha rektori.
Më tutje në njoftimin e universitetit thuhet se suksesi i përbashkët i Universitetit “Haxhi Zeka” thekson rolin udhëheqës të institucionit në zhvillimin e arsimit të lartë dhe integrimin e tij në komunitetin akademik ndërkombëtar, duke kontribuar në promovimin e cilësisë, inovacionit dhe ekselencës akademike në nivel rajonal dhe global. /Telegrafi/