Me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, që shënohet më 27 shtator, Unioni i Turizmit të Kosovës ka uruar të gjithë akterët e sektorit për punën dhe sukseset e arritura, duke vlerësuar kontributin e tyre në promovimin e vendit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.
Në një komunikatë për media, UTK thekson se pavarësisht sfidave, turizmi në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave, viti 2024 u mbyll me një rritje prej 34.6% të vizitorëve, ndërsa vetëm në korrikun e këtij viti është regjistruar një rritje prej 34.9% të vizitorëve dhe 33% të netëqëndrimeve, përcjell Telegrafi.
“Këta janë tregues të rëndësishëm për ekonominë dhe për pozitën e Kosovës në hartën turistike ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Tema e këtij viti, e shpallur nga Organizata Botërore e Turizmit, është “Turizmi dhe transformimi i qëndrueshëm” – një thirrje për të ndërtuar turizëm që sjell ndikim pozitiv në ekonomi, shoqëri dhe mjedis.
Unioni i Turizmit të Kosovës ka shprehur falënderim të veçantë edhe për mediat, gazetarët e fotografët që kontribuojnë në promovimin e vlerave historike, kulturore dhe natyrore të vendit.
Edhe pse këtë vit mungoi organizimi i një ngjarjeje të përbashkët, UTK thekson se mbetet i përkushtuar për zhvillimin dhe promovimin e sektorit dhe për mbështetjen e bizneseve të turizmit.
“Do të vazhdojmë të punojmë me pasion, që 27 Shtatori i vitit 2026 ta gjejë Kosovën me një industri edhe më të zhvilluar, më shumë vizitorë dhe më shumë bashkëpunim,” përfundon komunikata. /Telegrafi/