Poezi nga: Ron Whitehead
Përktheu: Fadil Bajraj
Gjatë gjithë jetës sime kam qenë i bekuar me miq të dashur,
me njerëz nga të gjitha sferat e jetës, nga e gjithë bota.
Pa politikë dhe fe, a do të gjenim ende mënyra për të qenë
kundër njëri-tjetrit? A jemi të dënuar të krijojmë gjithmonë
armiq të rinj? A do të jemi ndonjëherë në gjendje ta pranojmë
faktin se liria, barazia dhe drejtësia janë për të gjithë?
Le t’i respektojmë dallimet tona të bukura dhe të kuptojmë
se të gjithë kemi më shumë të përbashkëta sesa dallime.
A jemi të dënuar me vuajtjet e pafundme të shkaktuara nga
lakmia, frika dhe lufta hakmarrëse? A jemi të dënuar të vuajmë
pasojat e moskënaqësisë me atë që kemi, të lakmimit të asaj
që nuk është e jona, të dëshirës gjithmonë për më shumë?
A do të mësojmë ndonjëherë ta çojmë mirë me veten dhe të tjerët,
të gjejmë paqe me atë që jemi?
Unë pranoj dhe përqafoj përgjegjësinë e natyrshme në liri,
që do të thotë t’i pranosh të tjerët ashtu siç janë, për sa kohë që ata nuk
lëndojnë askënd. Unë zgjedh të gjej përgjithmonë bazën e përbashkët të
miqësisë, të mishëruar në çdo komunikim që kam me qeniet e mia
njerëzore dhe me tokën tonë të bukur.
E kam të qartë se për të pasur miq duhet të jem vetë mik.
Unë zgjedh të jem mik.