Unaza e jashtme, Spitali, Parku Memorial “Ibrahim Rugova” e “Adem Jashari” – Rama prezanton premtimet në tubimin përmbyllës

Unaza e jashtme, Spitali, Parku Memorial “Ibrahim Rugova” e “Adem Jashari” – Rama prezanton premtimet në tubimin përmbyllës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar premtimet kryesore në përmbyllje të fushatës.

Ai ka përmendur Unazën e jashtme, Spitalin e Prishtinës, Fshatin Olimpik e Memorialin për Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin.


“Në mandatin e dytë, do ta çojmë Prishtinën PËRTEJ! Në mandatin e ri, ne do të shkojmë përtej çdo pengese. Sepse projektet që kanë nisur nuk ndalen: Ato do të bëhen realitet. Do ta bëjmë Unazën e Jashtme të qytetit – projektin që do t’i japë frymë trafikut të qytetit. Do ta ndërtojmë Spitalin e Kryeqytetit – që do të kujdeset vetëm për qytetarët tanë”.

“Do ta zgjerojmë Mësimin Tërëditor – në të gjitha shkollat e kryeqytetit, do ndërtojmë shkolla moderne, çerdhe të reja, qendra sociale dhe hapësira për fëmijë. Do ta hapim Fshatin Olimpik – zemrën e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Do ta realizojmë Platformën e Arbërisë që lidh qendrën me lagjen më të re, nënkalimin e Agim Ramadanit, dhe Pasarelën Grand–Pallati i Rinisë – për ta kthyer qendrën në hapësirë të këmbësorëve e të jetës urbane”, tha Rama.

Ai theksoi se Prishtina do të shkojë përtej të sotmes, drejt së ardhmes.

“Do ta ndërtojmë Parkun “Bardha”, parkun më të madh në 25 vitet e fundit. Dhe do të nderojmë historinë me Parkun Memorial “Ibrahim Rugova” dhe Memorialin “Adem Jashari”. Do ta ndërtojmë Qendrën e Teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, për t’i dhënë të rinjve hapësirë, dije dhe mundësi. Ky është vizioni ynë: Prishtina përtej së sotmes, drejt së ardhmes”, tha Rama.