Me ardhjen e dimrit, shumë njerëz po rrisin temperaturën e ngrohjes në shtëpi për t’u ndier rehat. Por për disa familje, mbajtja e ngrohjes ndezur gjatë gjithë ditës është një luks për shkak të çmimeve të larta të energjisë.
Fatmirësisht, ka mënyra të thjeshta për të kursyer para dhe për të ulur faturat e energjisë, pa sakrifikuar ngrohtësinë në shtëpi.
Ekspertët e konsumatorëve nga Which? ndajnë katër truke të thjeshta me radiatorët, që mund t’ju ndihmojnë të kurseni ndjeshëm këtë vit.
Pastroni radiatorët nga pluhuri
Para se të ndizni ngrohjen, pastroni mirë radiatorët. Pluhuri vepron si një izolues dhe pengon përhapjen e ajrit të ngrohtë, duke e bërë sistemin të punojë më shumë për të ngrohur ambientin.
Pastrimi rrit efikasitetin e radiatorëve;
Ul faturat e energjisë;
Përmirëson cilësinë e ajrit në shtëpi, duke reduktuar alergjenët;
Kujdesuni veçanërisht për pjesët e brendshme të radiatorit, ku mblidhet më shumë pluhur.
Vendosni letër alumini pas radiatorëve
Sipas Martin Lewis, vendosja e fletës alumini pas radiatorëve – veçanërisht në muret e jashtme – ndihmon që nxehtësia të reflektohet sërish në dhomë, në vend që të humbasë në mur.
Mund të përdorni letër alumini të zakonshme ose letër speciale për radiatorë;
Matni hapësirën midis mbajtëseve të radiatorit dhe prijeni aluminin sipas përmasave;
Vendoseni aluminin pas radiatorit duke përdorur ngjitës të dyanshëm;
Kjo metodë e thjeshtë mund të përmirësojë ndjeshëm shpërndarjen e ngrohtësisë në dhomë.
Largoni mobiliet nga radiatorët
Nëse keni mobilie të mëdha, si divane apo dollapë, që qëndrojnë përpara ose shumë afër radiatorëve, largojini. Këshillohet të lini një hapësirë prej rreth 30 cm midis radiatorit dhe çdo objekti.
Kjo ndihmon që ajri i ngrohtë të qarkullojë lirshëm në dhomë;
Ngrohja bëhet më efikase dhe ul kostot;
Bllokimi i radiatorëve me mobilie pengon ngrohjen dhe ju kushton më shumë në faturë.
Nxirrni ajrin nga radiatorët
Para se të fillojë i ftohti i madh sigurohuni që radiatorët nuk kanë ajër të bllokuar brenda. Radiatorët duhet të jenë plot me ujë të nxehtë që të funksionojnë siç duhet.
Si ta bëni këtë:
Fikni ngrohjen dhe lërini radiatorët të ftohen
Vendosni një peshqir dhe një enë poshtë valvulës së radiatorit;
Përdorni çelësin e radiatorit ose një kaçavidë për të hapur pak valvulën (në drejtim të kundërt të akrepave të orës);
Do dëgjoni një zhurmë si “pshh” ndërsa del ajri;
Kur të fillojë të pikojë ujë, mbyllni valvulën sërish (me akrepat e orës);
Pastaj ndizni ngrohjen dhe kontrolloni presionin në kazan.
Nëse nuk ndiheni rehat ta bëni vetë, kontaktoni një hidraulik për ndihmë.