Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Denys Shmyhal, ka bërë të ditur se koncerni gjerman i armatimeve Rheinmetall do të ndërtojë një fabrikë të re për prodhimin e predhave artilerie në Ukrainë.
“Për ndërtimin e një fabrike të re për të prodhuar predha Rheinmetall për forcat e armatosura ukrainase u caktua një parcelë toke në një rajon të sigurt të Ukrainës,” shkroi Shmyhal në platformën X (ish-Twitter).
Kievi po vazhdon përpjekjet për të zgjeruar industrinë vendase të mbrojtjes dhe po u kërkon partnerëve perëndimorë mbështetje të shtuar për t’u përballur me agresionin rus që vazhdon prej katër vjetësh.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se ka zhvilluar një takim me të dërguarin e SHBA-së, Keith Kellogg, ku diskutuan mundësitë për bashkëprodhim armësh dhe për sanksione të reja ndaj Rusisë.
“Diskutuam rrugë të ndryshme për bashkëpunim – se si të arrijmë paqe të vërtetë dhe të sigurojmë sigurinë e Ukrainës,” shkroi Zelensky në Telegram pas takimit në Kiev.
“Pjesë e bisedimeve ishin marrëveshje të forta dypalëshe për prodhimin e përbashkët të dronëve dhe të armëve, të cilat ia kemi propozuar SHBA-së. Ne presim një përgjigje pozitive nga SHBA-ja,” shtoi ai, sipas DW.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!