Aktivisti kosovar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi, ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është fituar si formalisht, ashtu edhe informalisht nga mbrojtja.
Në një postim në Facebook, Lushi theksoi se Prokuroria Speciale në Hagë nuk ka arritur të vërtetojë asnjë nga pikat e aktakuzës ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Çdo njeri i arsyeshëm e sheh këtë tashmë. Gjykimi formalisht kryhet në dhjetor 2025. Menjëherë pas ditës së fundit të gjykimit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi duhet të lirohen dhe presin verdiktin si të pafajshëm dhe Vitin e Ri 2026 në Prishtinë me familjet dhe popullin tonë”, ka shkruar ai.
Lushi ka paralajmëruar se mbajtja e tyre në burg edhe pas përfundimit të gjykimit deri në shpalljen e verdiktit do të ishte, sipas tij, një shkelje “mizore dhe e përtej turpshme”.
“President, mirupafshim në këtë dhjetor në Prishtinë, me ty dhe shokët!”, ka shtuar ai në fund të reagimit.
Ndërkohë, në procesin gjyqësor në Hagë janë duke u dëgjuar dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e Thaçit dhe e Krasniqit. Sot dëshminë e përfundoi ish-zëvendësi i Bernard Kouchner, Jock Covey, i cili foli për takimet me udhëheqës të UÇK-së, por tha se nuk i kujtohej nëse Hashim Thaçi kishte qenë i pranishëm.
Më herët kanë dëshmuar edhe John Duncan, James Rubin dhe Paul Williams.