Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se liqenet akumuluese Batllava dhe Badovci janë aktualisht në nivele të kënaqshme, duke siguruar kësisoj një furnizim të qëndrueshëm me ujë për qytetarët deri në fund të vitit 2025. Kjo është një garanci për një furnizim të mjaftueshëm dhe pa ndërprerje për të gjithë konsumatorët.
Në këtë kontekst, ujësjellësi i kryeqytetit iu ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të përgjegjshëm dhe të paguajnë faturat e ujit në mënyrë të rregullt. Po ashtu, ata kanë theksuar se çdo rast lidhjeje ilegale do të procesohen në gjykatë dhe do të ndëshkohen sipas ligjit, transmeton Klankosova.tv.
“Liqenet akumuluese Batllava dhe Badovci janë në nivele të kënaqshme, gjë që siguron furnizim të mirë me ujë deri në fund të vitit 2025. Ju lutemi që të paguani faturat e ujit. Rastet e lidhjeve ilegale do të procesohen në gjykatën kompetente. Denonconi çdo keqpërdorim,” thuhet në komunikatën e Kompanisë së Ujësjellësit “Prishtina”.
Kompania apelon që qytetarët të respektojnë normat dhe të bashkëpunojnë për të garantuar një furnizim të vazhdueshëm me ujë, duke shmangur kështu ndotjen dhe humbjet e mundshme.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>