E premte, 9 Maj, 2025
spot_img
HomeSportUEFA përgjigjet pas kërkesës së Barcelonës për hetimin e gjyqtarit Marciniak –...

UEFA përgjigjet pas kërkesës së Barcelonës për hetimin e gjyqtarit Marciniak – Indeksonline.net

20:38 / E Enjte, 08 Maj 2025 / Gj. Sh

UEFA ka reaguar pas deklaratës së yllit të Barcelonës, Pedri, i cili kërkoi që institucioni të hetojë performancën e gjyqtarit Szymon Marciniak në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Inter Milan.

Pasi ishin në disavantazh 2-0 dhe më pas kaluan në avantazh 3-2 deri në kohën shtesë, Barça pësoi një gol të barazimit në minutat e fundit kur 37-vjeçari Francesco Acerbi shënoi dhe e çoi ndeshjen në kohë shtesë. David Frattesi realizoi golin vendimtar në minutën e 99-të, duke dërguar Interin në finalen e dytë të Ligës së Kampionëve brenda tre viteve.

Barcelona ishte e zemëruar për disa vendime kyçe që ata ndjenë se shkuan kundër tyre — përfshirë një penallti të akorduar kundër tyre, dy episode të diskutueshme në zonë që nuk u gjykuan si penallti, si dhe një faull të pretenduar mbi Gerard Martin në aksionin që çoi në golin e barazimit.

Hansi Flick deklaroi se Interi përfitoi nga “vendimet 50-50”, ndërsa Pedri, i revoltuar, nuk u përmbajt në deklaratat e tij për mediat:

“Nuk është hera e parë që ndodh kjo me këtë gjyqtar dhe besoj se UEFA duhet ta shikojë me kujdes,” tha 22-vjeçari.

“Mendoj se ka gjëra që nuk i kuptoj dhe që janë shumë të vështira për t’u shpjeguar.”

Gjithashtu, Gavi, Ronald Araújo dhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, kanë kritikuar ashpër arbitrin. Media në Barcelonë e shtoi edhe më tej zhurmën, me gazetën katalanase SPORT që sugjeroi njëfarë lidhjeje të Marciniak me Real Madridin, duke publikuar një foto të tij me një çantë sportive të Los Blancos, si dhe duke përmendur vendime të mëparshme në ndeshje të tjera të Madridit.

Megjithatë, UEFA nuk ka parë asnjë problem në paraqitjen e Marciniak, i cili gjykoi finalen e Kupës së Botës 2022 dhe finalen e Ligës së Kampionëve pak më vonë. Sipas MARCA, UEFA ka konfirmuar mbështetjen e saj për gjyqtarin polak, duke deklaruar: “Nuk ka problem.”

Në fakt, Marciniak është një nga pretendentët për të gjykuar finalen mes Interit dhe Paris Saint-Germain, pasi një nga gjyqtarët kryesorë të tjerë, Clement Turpin, nuk mundet për shkak se është francez. Ai do të jetë gjithashtu i pranishëm në Kupën e Botës për Klube në Shtetet e Bashkuara këtë verë.

Pas disa deklaratave që qarkulluan në mediat e Lindjes së Mesme, të cilat pretendonin se Marciniak kishte reaguar ndaj kritikave, media polake Przegląd Sportoëy Onet sqaroi se një intervistë e tillë nuk kishte ndodhur.

“Deklaratat e publikuara nga mediat egjiptiane dhe spanjolle, të cilat bënë bujë të madhe në rrjetet sociale, rezultuan të jenë një gënjeshtër e madhe,” tha media polake.

“Një gjyqtar nuk lejohet të bëjë komente pas ndeshjes për vendimet që ka marrë. Siç na informoi vetë Szymon Marciniak, një deklaratë e tillë nuk ka ndodhur.”

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT