E shtunë, 12 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajme“Udhëkryqi i bllokuar” që po i ndan bujqit e Rahovecit nga buka...

“Udhëkryqi i bllokuar” që po i ndan bujqit e Rahovecit nga buka e gojës (VIDEO)

Në agimin e hershëm, kur toka thërret të mbjellet, bujqit e Bërnjakut të Rahovecit e fshatrave përreth ia mësyejnë arave.

Ora 3:00 e mëngjesit zakonshëm i zinte aty.

Por koha që dikur e përdornin për punë, sot u shkon duke bredhur rrugëve dhe endur rreth e rrotull për të mbërritur te arat.

Udhëkryqi që për dekada lidhte rrugët dytësore me aksin kryesor Rahovec–Fortesë përmes fshatit Bërnjak, sot është i bllokuar.

Rruga që nisi të ndërtohej në vitin 2019, projekt me vlerë prej 3.4 milionë euro të zotuara nga Ministria e Infrastrukturës, nuk përfshin as rrethrrotullim e as semafor në këtë nyje kritike, duke i ndarë bujqit nga toka që i ushqen.

Tashmë, në vend që të kalojnë direkt nga shtëpitë në arat e tyre, bujqit janë të detyruar të sillen qindra metra larg e dhjetëra herë në ditë.

Kjo pjesë që njihet si ruga e vjetër e Prizrenit, që për banorët ka vlerë strategjike dhe ekonomike, sepse lidh Rahovecin me Prizrenin, por edhe me rrugët që të nxjerrin në Beograd, Tiranë apo Selanik, sot është barrikadë për ata që jetojnë aty.

Ngushtësia e saj dhe mungesa e infrastrukturës i ka kthyer shpeshherë mbrapa kamionët dhe makineritë e bujqësisë.

Nehat Canziba, një nga bujqit më të zëshëm të zonës, thotë se komuna e qeveria po luajnë me fatin e bujqve.

Aty ku ka biznese private, vetëm 200 metra më larg, janë ndërtuar dy rrethrrotullime.

Por në vendin ku qarkullojnë mbi 300 bujq në ditë, s’është bërë asnjë zgjidhje.

Mungesa e qasjes, sipas blegtorit Vllaznim Canziba po rrezikon edhe të ardhmen e bujqësisë të kësaj zone.

Banorët kanë nënshkruar dhe një peticion me mbi 100 nënshkrime, të cilin e kanë dorëzuar në komunë.

Ata kanë kritika të mëdha edhe për kryetarin, Smajl Latifi, për të cilin thonë se i kishte përçmuar, vec pse ishin bujq.

Kjo zonë shpesh konsiderohet si “pikë e zezë” nga policia, për shkak të mungesës së sinjalistikës.

Madje, sic tregojnë banorët, para një viti në këtë pjesë kishte ndodhur një aksident, ku si shkak i shpejtësisë një veturë e kishte goditur një këmbësor duke e lënë në karrocë.

The post “Udhëkryqi i bllokuar” që po i ndan bujqit e Rahovecit nga buka e gojës (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT