Wednesday, February 18, 2026
spot_img
HomeLajmeUdhëheqësit politikë urojnë besimtarët myslimanë: Ramazani është kohë reflektimi dhe afrimi me...

Udhëheqësit politikë urojnë besimtarët myslimanë: Ramazani është kohë reflektimi dhe afrimi me njëri-tjetrin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar muajin e shenjtë të Ramazanit, duke theksuar se kjo është një kohë reflektimi, solidariteti dhe afrimi me njëri-tjetrin.

“Le të sjellë ky muaj i bekuar më shumë paqe në zemrat e secilit, më shumë mirësi dhe më shumë solidaritet në vepra. Ramazani është kohë reflektimi dhe afrimi me njëri-tjetrin. Uroj që sofrat tuaja të jenë të mbushura me begati e shtëpitë me harmoni! Agjërim të lehtë e të pranuar!”, ka shkruar Presidentja.

Urime për fillimin e Ramazanit ka përcjellë edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një postimi në Facebook.

“Ramazani na fton në përkushtim, durim dhe mirësi. Qoftë ky muaj një shembull bashkimi, harmonie për të gjithë qytetarët dhe afrimi me vlerat më të larta njerëzore. Agjërim të lehtë, lutje të pranuara dhe paqe në çdo familje.”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, përmes faqes zyrtare në Facebook, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të bekuar.

“Urime fillimi i muajit të shenjtë të Ramazanit! Me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, Lidhja Demokratike e Kosovës u shpreh urimet më të sinqerta të gjithë besimtarëve myslimanë, kudo që ndodhen. Ky muaj i përkushtimit, reflektimit dhe sakrificës le të sjellë paqe, shëndet, mirësi dhe solidaritet në çdo familje. Le të shërbejë si kohë afrimi, bashkimi dhe forcimi të vlerave më të larta njerëzore.
Agjërim të lehtë dhe lutje të pranuara!”, thuhet në njoftim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT