Ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe i Kombëtares së Francës, Eric Abidal, ka mohuar thashethemet për vdekjen e tij, që shpërndanë panik dhe keqkuptime në rrjetet sociale gjatë fundjavës.
46-vjeçari ishte bërë subjekt i një serie spekulimesh të dëmshme, por është plotësisht gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjatë fundjavës, shumë mesazhe ngushëllimi mbërritën tek Abidal, pasi disa burime në mediat sociale pretenduan se ai kishte ndërruar jetë pas komplikacioneve gjatë një transplanti të dytë të mëlçisë, sipas raportimeve të Radio Catalunya.
Vetë Abidal reagoi menjëherë në Instagram për të sqaruar situatën.
“Disa thashetheme nuk duhet të ekzistojnë kurrë. Jam këtu me familjen time dhe gjithçka është në rregull. Respekti është çelësi. Vetëm për të sqaruar – jam mirë, jam gjallë dhe shëndoshë e mirë. Faleminderit për mbështetjen tuaj. Le të përqendrohemi te gjërat që kanë vërtet rëndësi”, shkroi francezi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!