Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në Prizren, ku një i mitur ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me motoçikletë, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën Landovicë–Gjonaj, ku disa qytetarë që po punonin në ara kanë vërejtur një person të shtrirë nën rrugë, rreth 7–8 metra larg saj, pranë një muri ku po ndërtohej një shtëpi. Sipas raportimeve fillestare, personi nuk shfaqte shenja jete.
Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës kanë dalë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet fillestare.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se nga veprimet hetimore është konstatuar se viktima është i mituri V.N. (i lindur më 15.08.2008) nga lagjja Arbane e Prizrenit, i cili që nga mbrëmë nuk ishte kthyer në shtëpi dhe nuk ishte lajmëruar në telefon, ndërsa sot ishte raportuar si i zhdukur.
“Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se viktima, derisa ishte duke drejtuar një motoçikletë, nuk i është përshtatur kushteve dhe rrethanave të rrugës, ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është përplasur në murin mbrojtës të një shtëpie në ndërtim, me ç’rast ka pësuar lëndime të rënda trupore që kanë rezultuar me vdekje në vendin e ngjarjes.”, ka deklaruar Bytyqi.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, po vazhdon hetimet për të sqaruar në detaje të gjitha rrethanat e këtij rasti tragjik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post U raportua i zhdukur, 17-vjeçari nga Prizreni gjendet i vdekur pas aksidentit me motor appeared first on Sinjali.