Juventusi ka marrë një goditje të rëndë pas ndeshjes me Villarrealin ku e humbën fitoren nga duart në minutat e fundit duke luajtur baras 2-2.
Mbrojtësi i Juventusit, Juan Cabal, do të mungojë për rreth dy muaj pas një dëmtimi në kofshë që pësoi gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Villarrealit.
Në një deklaratë zyrtare, klubi bardhezi njoftoi se Cabal ka marrë një lëndim në kofshën e djathtë.
“Juan Cabal, i cili u detyrua të largohej gjatë pjesës së parë të sfidës kundër Villarrealit, iu nënshtrua testeve diagnostikuese në J|Medical. Rezultatet zbuluan një dëmtim të gradës së moderuar në muskulin biceps femoris të kofshës së djathtë. Ai do të kryejë kontrolle të tjera pas dy javësh për të përcaktuar kohëzgjatjen e rikuperimit”, thuhet në njoftimin e Juventusit.
Ky është një tjetër goditje për mbrojtësin kolumbian, i cili sezonin e kaluar humbi shumë ndeshje për shkak të një operacioni në ligamentin e kryqëzuar anterior.
Cabal kishte nisur të gjente formën e tij, duke shënuar golin vendimtar në barazimin 1-1 ndaj Atalantës javën e kaluar, por dëmtimi i ri i ndërpret sërish progresin. /Telegrafi/