“U futëm përmes rrugëve malore”, gazetari Tahiri flet për 24 shtatorin e 2023-ës në Banjskë (VIDEO)

“U futëm përmes rrugëve malore”, gazetari Tahiri flet për 24 shtatorin e 2023-ës në Banjskë (VIDEO)

Sot shënohen dy vjet nga sulmi i armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, gazetari i Klan Kosovës, Besnik Tahiri, ka ndarë përvojën e tij të asaj dite të 24 shtatorit 2023, kur bashkë me xhiruesin Agon Bejtullahun dhe pjesën tjetër të ekipit, arritën të hynin në fshat gjatë kohës së luftimeve.

“Të vetmit që arritëm të shkonim në Banjskë në kohën kur po zhvilloheshin përleshjet ishim ne si ekip televiziv. U futëm përmes rrugëve malore, të cilat i njihja mirë nga raportimet e mia të shpeshta në veri. Shumë gazetarë, e madje edhe pjesëtarë të sigurisë, nuk kishin informacione se ku gjendet Banjska  ose se aty ekziston një manastir i madh. Ky terren të mëson gjëra”,  ka treguar Tahiri në emisionin “Kosova Today”, në Klan Kosova.

Ai shtoi se nëse krahasohet gjendja e atëhershme me situatën sot, ndryshimi është i dukshëm.

“Sot ka një prani shumë më të madhe të Policisë së rregullt dhe një njësi speciale në hyrje të Banjskës. Edhe pse zyrtarisht nuk është njoftuar, manastiri i Banjskës sot qëndron i mbyllur 24 orë”, tha Besniku./Klankosova.tv

 

The post “U futëm përmes rrugëve malore”, gazetari Tahiri flet për 24 shtatorin e 2023-ës në Banjskë (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.