Në çantë, F.G nga Prishtina mban ende njërën këpucë të vogël, kujtim nga fëmija që strehoi në dhjetor përmes QPS-së në Vranjevc. Por gjithçka për të ndryshoi kur në shkurt iu mor nën arsyetimin jo zyrtar se kishte angazhuar avokat dhe kishte shpërndarë certifikatën e fëmijës me të.
Gjatë gjithë kohës sa ajo ishte në kontakt me Qendrën, marrëdhëniet thotë që kishin qenë të mira. Sipas saj, që nga vera e vitit të kaluar kishte nisur procedurat për të qenë një familje strehuese dhe çdo kriter thotë që e kishin plotësuar. Por pas strehimit, familja e saj kishte vendosur që të fillonte procedurat e adoptimit.
Pasi nëna strehuese vendosi që të hulumtojë për procesin e adoptimit dhe angazhoi një avokat, me 3 shkurt e telefonuan nga QPS-ja por pa i treguar se pse po e ftonin në zyrat e tyre.
Biseda, sipas saj, mori drejtim tjetër kur nisën ta pyesnin nëse ajo kishte autorizuar avokatin Zahir Hamza për të kërkuar informacione se çfarë dokumentacioni duhet plotësuar për adoptim. Kësisoj, F. G thotë se drejtoresha e qendrës, Valbona Makiqi i tha që duhej të shkruante një deklaratë, por e njëjta refuzoi të nënshkruante pa u këshilluar me avokatin.
Pas këtij momenti, sipas saj, situata u tensionua dhe nuk kuptonte se çfarë realisht po ndodhte.
Në fund, pas presionit që thotë se iu bë, F. G u detyrua ta dorëzojë fëmijën te zyrtarët e QPS-së. Halli i gruas nga Prishtina, qëndron te ajo se nëse gjendja e fëmijës ishte e mirë atë ditë të tensionuar kur iu mor nga duart pa ndonjë vendim zyrtar.
Ndonëse tanimë fëmijën nuk e ka në strehim, F. G thotë se nuk do të ndalet dhe do të luftojë me çdo forcë që këtij rasti t’i shkojë deri në fund. Disa ditë pas kësaj ngjarje, F. G lajmëroi Kiksin që kishte marrë një vendim me shkrim, ku thuhej se familjet strehuese kanë për detyrë të njoftojnë Organin e Kujdestarisë e jo të ndërmarrin veprime të pavarura juridike. Dhe kjo sipas QPS-së qe arsyeja pse fëmija u largua nga familja strehuese në fjalë.
Lidhur me këtë rast dhe për të ditur më shumë detaje se a lejohet që një familje strehuese të adoptojë fëmijë dhe çfarë kritere duhet të plotësojnë, redaksia emisionit Kiks Kosova kërkoi sqarim nga kjo qendër.
Sipas tyre, ata vetëm e vlerësojnë interesin më të mirë të fëmijës dhe marrin veprimet e nevojshme, por pa dhënë përgjigje në pyetjet konkrete për rastin specifik. Emisioni Kiks Kosova insistoi që të intervistojë drejtoreshën e kësaj dege, Valbona Makiqin, mirëpo kjo kërkesë u refuzua, për shkak të natyrës së rastit dhe kufizimeve ligjore për trajtimin publik të rasteve individuale.


