Turqia dhe Greqia kanë siguruar nga një vend në gjysmëfinale, pasi mposhtën Poloninë, respektivisht Lituaninë.
Eurobasketi 2025 ka dhuruar emocione të mëdha në Riga të Letonisë, ku janë përcaktuar dy gjysmëfinalistet e para të turneut: Turqia dhe Greqia, të cilat do të përballen mes vete në një super-derbi ballkanik më 12 shtator.
Turqia – Polonia 91:77
Turqia u tregua e fortë dhe me lojë kolektive arriti të mposhtë Poloninë me rezultatin 91:77, duke u bërë skuadra e parë që siguroi një vend në gjysmëfinale.
Ylli i Houston Rockets, Alperen Sengun, ishte protagonist absolut. Ai realizoi një “triple-double” historik me 19 pikë, 12 kërcime dhe 10 asistime, duke u bërë lojtari më i ri në historinë e Eurobasketit që arrin një statistikë të tillë.
Përveç Sengunit, Turqia pati edhe kontribut të shpërndarë: Kenan Spahiu shtoi 11 pikë e 4 asistime, Erxhan Osmani realizoi 10 pikë, 5 kërcime e 3 asistime, ndërsa Cedi Osman shënoi gjithashtu 10 pikë. Të dyshifrorë ishin edhe Shane Larkin e Sehmus Hazer me nga 13 pikë secili.
Greqia – Lituania 87:76
Në mbrëmje, Greqia eliminoi Lituaninë me rezultatin 87:76, falë një paraqitjeje madhështore të Giannis Antetokounmpo. Superylli i Milwaukee Bucks e udhëhoqi skuadrën me 29 pikë, 6 kërcime, 2 asistime, 4 topa të rrëmbyer dhe 1 bllokadë.
Kontribut të madh dha edhe Vasileios Toliopoulos, i cili nga stoli i shënoi 17 pikë në vetëm 16 minuta lojë. Kostas Papanikolau shtoi 8 pikë, 7 kërcime e 3 asistime, ndërsa Kostas Sloukas e përfundoi ndeshjen me 11 pikë.
Te Lituania u dallua qendra Jonas Valanciunas me një “double-double” prej 24 pikësh e 15 kërcimesh, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin. Arnas Velicka kontribuoi me 12 pikë, 7 asistime e 5 kërcime, ndërsa Gytis Radzevicius shtoi 10 pikë.
Gjysmëfinalja: Turqia – Greqia
Tani, rruga e Eurobasketit 2025 sjell një duel spektakolar. Turqia e Sengunit dhe Greqia e Antetokounmpos përballen më 12 shtator në një gjysmëfinale që premton intensitet, pasion ballkanik dhe basketboll të nivelit më të lartë.
Fituesi i kësaj përballjeje do të sigurojë biletën për finalen e madhe. /Telegrafi/