Turisti holandez humbi jetën në Qafën e Valbonës – trupi nxirret nga humnera

Turisti holandez humbi jetën në Qafën e Valbonës – trupi nxirret nga humnera

Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim mbrëmjen e djeshme, se një turist holandez, duke eksploruar zonën me disa turistë të tjerë, në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës”, kishte rënë nga një terren i thepisur malor.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipet e kërkim-shpëtimit të Valbonës dhe të Kosovës, janë nisur bashkë me helikopterin e ushtrisë, drejt adresës së dhënë.


“Pas disa orësh kërkime, shërbimet e Policisë ndërprenë punën për shkak të errësirës. Kërkimet vijuan më pas në orët e para të mëngjesit, së bashku me ekipet e kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se rreth orës 05:30, nga ekipi i kërkim-shpëtimit dhe shërbimet e Policisë është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit holandez F. D., 27 vjeç, i cili do të transportohet me helikopter, drejt morgut. /Telegrafi/