Tudor beson se Juventusi ka shanse për të fituar Scudetton

Tudor beson se Juventusi ka shanse për të fituar Scudetton

Igor Tudor këmbëngul se Juventusi ‘padyshim mund ta fitojë Scudetton’ këtë sezon dhe përballja me Interin ‘vlen më shumë se tre pikë’.

Derbi i Italisë me Interin do të luhet në Allianz Stadium në Torino të shtunën në orën 18:00 sipas kohës tonë dhe për këtë përballje ka folur trajneri kroat.


“Kjo është një ndeshje që vlen më shumë se tre pikë, kështu që është më e lehtë për mua të përgatitem për këto ndeshje”, ka thënë fillimisht Tudor për DAZN Italia.

“Interi është një ekip i shkëlqyer, ata kanë lojtarë që janë tashmë të pjekur dhe me përvojë. Ne do të themi fjalën tonë, duam të përqendrohemi në pikat tona të forta dhe pastaj të punojmë në dobësitë tona. Në fund të ditës, do të shohim se kush do të bëjë më mirë”.

Ndërsa Interi dhe Napoli janë përmendur si pretendentët e mundshëm për titullin e Serie A , Tudor këmbëngul se ata nuk duhet ta përjashtojnë Zonjën e Vjetër.

“Padyshim që kjo skuadër mund të luftojë për të fituar Scudetton. Në fillim të sezonit, në disa takime me ekipin, fola për mundësinë e fitimit të ligës dhe objektivat tona, por më pas e mbylla derën dhe nuk do të flas më për këtë”.

“Unë flas vetëm për gjëra konkrete, duhet të arrish rezultate, jo të flasësh për to”, përfundoi trajneri kroat i Juventusit. /Telegrafi/