Gjatë episodit të fundit të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, trajneri i njohur i fitnesit, Arbër Peci ka ndarë mendimet e tij mbi ndikimin e aktivitetit fizik në përmirësimin e shëndetit mendor, duke veçuar disa ushtrime specifike që ndihmojnë në uljen e ankthit dhe depresionit.
Sipas Pecit, ushtrimet kardio janë ndër më efikaset kur bëhet fjalë për lehtësimin e simptomave të ankthit.
Ai përmend ushtrime si vrapimi, çiklizmi, noti dhe ecja në shkallë, të cilat ndikojnë direkt në aktivizimin e sistemit kardiovaskular dhe rritjen e qarkullimit të gjakut.
“Në fitness ka ushtrime kardio që nënkupton ushtrime të vazhdueshme e të pandërperë që janë çiklizmi, shkallët në fitnes, vrapimi, noti. Këto ndikojnë në uljen e nivelit të ankthit aty për aty. Në momentin që trupi aktivizohet fuqishëm pandërprerë rritet qarkullimi i gjakut në trup që mundëson që truri me pas më shumë oksigjen dhe materie ushqyese…”, tha Peci.
Sipas Pecit, shumë njerëz e keqkuptojnë qëllimin e stërvitjes fizike, duke e reduktuar atë vetëm në formësim trupi, pamje të jashtme apo si mjet për të ndarë momente në rrjetet sociale.
Por ndikimi i vërtetë dhe më i thellë i aktivitetit fizik është tek gjendja emocionale dhe mendore e individit.
“Aktiviteti fizik nuk është siç e shohin shumica me formësu një trup ose thjesht mu duk bukur, ose me bo foto e me tregu që po ushtron. Në realitet ai ka ndikime shumë të mëdha në gjendjen shpirtërore shkaku që gjatë aktiviteteve fizike trupi prodhon hormone të ndryshme natyrale, të prodhuara nga vet organizmi. Zakonisht këtë ndjesinë që dikush e përjeton e krahasojë me atë që shumica e të tjerëve e kërkojnë në droga të ndryshme, e cila në realitet është e përkohshme”, ka thënë Peci.
Për më shumë shikoni episodin e plotë të podcastit “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com