Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do t’i rrisë tarifat ndaj importeve nga Koreja e Jugut në 25 për qind, pasi e akuzoi Seulin se “nuk po e respekton” një marrëveshje tregtare të arritur vitin e kaluar.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se do t’i rrisë tarifat për Korenë e Jugut nga 15 për qind në një sërë produktesh, përfshirë automjetet, lëndën e drurit, produktet farmaceutike dhe “të gjitha tarifat e tjera reciproke”.
Trumpi tha se ligjvënësit e Koresë së Jugut kanë qenë të ngadaltë në miratimin e marrëveshjes, ndërsa “ne kemi vepruar me shpejtësi për të ulur tarifat tona në përputhje me transaksionin e rënë dakord”.
Koreja e Jugut deklaroi se nuk kishte marrë njoftim zyrtar për vendimin për rritjen e tarifave ndaj disa prej mallrave të saj dhe se kërkonte bisedime urgjente me Washingtonin për këtë çështje.
Ajo shtoi se ministri i Industrisë i Koresë së Jugut, Kim Jung-kwan, i cili aktualisht ndodhet në Kanada, do të vizitojë Washingtonin sa më shpejtë të jetë e mundur për t’u takuar me sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick.
Trump i ka përdorur shpesh tarifat si mjet presioni për të zbatuar politikën e jashtme gjatë mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Të shtunën, ai kërcënoi Kanadanë me një tarifë prej 100% nëse ajo do të lidhte një marrëveshje tregtare me Kinën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


