Trumpi para OKB-së: U dhashë fund shtatë luftërave, Kosovë-Serbi mes tyre

news image

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur në fjalimin e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën se gjatë mandatit të tij të dytë ka dhënë fund shtatë konflikteve ndërkombëtare.

Ai ka shtuar se shumë njerëz i kishin thënë se këto konflikte ishin “të pafundme”.

Trump ka përmendur konfliktet midis Kamboxhias dhe Tajlandës, Kosovës dhe Serbisë, Pakistanit dhe Indisë, Izraelit dhe Iranit, Egjiptit dhe Etiopisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe “luftën e egër të dhunshme” midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës.

“Asnjë president tjetër nuk ka bërë kurrë diçka të ngjashme me këtë”, ka thënë Trumpi.

Ai gjithashtu kritikoi OKB-në, duke theksuar se organizata “as nuk u përpoq të ndihmonte” në asnjërin prej këtyre konflikteve.

Trumpi ka shtuar se ka qenë shumë i zënë gjatë mandatit të tij duke u përpjekur të shpëtojë miliona jetë. Ai madje ka përmendur se njerëzit i thonë se meriton çmimin “Nobel”.

“Të gjithë thonë se unë duhet të marr çmimin Nobel për Paqen për secilën prej këtyre arritjeve. Por për mua, çmimi i vërtetë do të jenë bijtë dhe bijat që jetojnë duke u rritur me nënat dhe baballarët, sepse miliona njerëz nuk po vriten më në luftëra të pafundme dhe të lavdishme. Ajo që më intereson nuk është fitimi i çmimeve, por shpëtimi i jetëve”, është shprehur Trumpi.

Ai foli edhe për gjendjen e ekonomisë amerikane gjatë mandatit të tij të dytë, duke e përshkruar atë si më të mirë se asnjëherë më parë, dhe e quajti periudhën e administrimit të tij të dytë si “Epokën e Artë të Amerikës”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/