Trump vë në dyshim Kupën e Botës 2026, mund t’i ndryshojë disa vende pritëse të ndeshjeve

Trump vë në dyshim Kupën e Botës 2026, mund t’i ndryshojë disa vende pritëse të ndeshjeve

Donald Trump e ka vënë në rrezik organizimin e Kupës së Botës 2026, pasi kërcënoi të ndryshojë vendet “të drejtuara nga ekstremistë të krahut të majtë” që ai i konsideron të pasigurta.

Presidenti i SHBA-së ka hapur derën për zhvendosjen e disa ndeshjeve të Kupës së Botës 2026, e cila do të luhet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik.


“Këto qytete drejtohen nga ekstremistë të krahut të majtë që nuk dinë çfarë po bëjnë. Ne do të sigurohemi që këto ndeshje të zhvillohen në mënyrë të sigurt. Nëse mendojmë se një qytet mund të jetë sadopak i pasigurt për Kupën e Botës, do ta zhvendosim atë në një qytet tjetër”, ka thënë fillimisht Trump në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet për ndeshjet e Kupës së Botës të planifikuara në Seattle dhe San Francisco.

“Kupa e Botës do të jetë e sigurt. Nëse nuk mendoj se është e sigurt, do t’i zhvendosim ndeshjet në qytete të tjera. Por shpresoj që kjo të mos ndodhë”.

Trump vuri në dukje se “nëse mendojmë se një qytet do të jetë sadopak i pasigurt për Kupën e Botës ose Lojërat Olimpike (në Los Angeles në 2028), por veçanërisht për Kupën e Botës, duke pasur parasysh që gara është e përhapur në kaq shumë qytete, ne nuk do të lejojmë që lojërat të mbahen; ne do t’i shtyjmë ato”.

Kërcënimi i Donald Trump i drejtohet veçanërisht qytetit të Çikagos, i cili po pret Kupën e Botës dhe shkalla e krimit të të cilit ka qenë e lartë.

“Tani kemi një Uashington DC të shkëlqyer, siç e dini, por do të shkojmë edhe në Memfis dhe qytete të tjera. Dhe shumë shpejt do të shkojmë në Çikago për ta bërë të sigurt Kupën e Botës”, këmbënguli presidenti i ShBA-ve. /Telegrafi/