Trump thotë se mund të vizitojë Lindjen e Mesme të dielën, pasi bisedimet për armëpushim në Gaza po shkojnë ‘shumë mirë’

Trump thotë se mund të vizitojë Lindjen e Mesme të dielën, pasi bisedimet për armëpushim në Gaza po shkojnë 'shumë mirë'

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se mund të shkojë në Lindjen e Mesme në ditët në vijim, duke përmendur përparimin në bisedimet për armëpushim në Gaza.

“Kemi një shans të mirë për sukses”, ka thënë Trump nga Shtëpia e Bardhë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


“Mund të shkoj atje diku nga fundi i javës, ndoshta të dielën, në fakt”, shtoi ai. “Negociatat po shkojnë shumë mirë”.

Duke folur në një tryezë të rrumbullakët në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i SHBA-së u tha gazetarëve: “Kemi një ekip të shkëlqyer atje, negociatorë të shkëlqyer”.

Ai ka shtuar se “pothuajse të gjithë” janë të përfshirë në bisedime, përfshirë vendet “myslimane dhe arabe”, dhe se negociatat përfundimtare janë duke vazhduar me Hamasin.

Komentet e tij erdhën ndërsa negociatorët nga Izraeli dhe Hamasi do të zhvillonin një ditë të tretë negociatash indirekte në qytetin turistik egjiptian Sharm El-Sheikh që synonin ndalimin e luftës dyvjeçare në Gaza, së bashku me zyrtarë të lartë nga Katari, Turqia dhe SHBA-ja.

Negociatat indirekte bazohen në një plan 20-pikësh të propozuar nga Trump muajin e kaluar. /Telegrafi/