Trump siguron udhëheqësit arabë dhe të Gjirit se Izraeli s’do të lejohet të aneksojë Bregun Perëndimor

Trump siguron udhëheqësit arabë dhe të Gjirit se Izraeli s’do të lejohet të aneksojë Bregun Perëndimor

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është zotuar para udhëheqësve arabë dhe të Gjirit se nuk do të lejojnë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor të pushtuar, thanë burime të njohura me çështjen për Al Arabiya English.

Garancia u dha gjatë takimit të Trump me udhëheqësit arabë dhe të Gjirit këtë javë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.


Zyrtarët rajonalë kanë paralajmëruar vazhdimisht se çdo aneksim mund të ndezë më tej konfliktin dhe të rrezikojë marrëveshjet e normalizimit.

Qeveria e Izraelit, e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, është zotuar vazhdimisht të parandalojë krijimin e një shteti palestinez dhe ka sinjalizuar qëllimin e saj për të zgjeruar kontrollin mbi territorin e pushtuar.

Shtetet arabe dhe të Gjirit kanë ushtruar presion ndaj Uashingtonit – mbështetësit kryesor politik dhe ushtarak të Izraelit, që shihet si e vetmja palë e aftë për t’i dhënë fund luftës në Gaza – për të ndërhyrë, duke paralajmëruar se aneksimi mund të ngrijë Marrëveshjet e Abrahamit.

Trump shpesh i thekson marrëveshjet, të ndërmjetësuara gjatë administratës së tij të parë, si një arritje diplomatike historike.

Emiratet e Bashkuara Arabe, një nënshkrues kyç, kanë deklaruar hapur se aneksimi i Bregut Perëndimor do të kalonte “një vijë të kuqe” për Abu Dhabin, duke dëmtuar rëndë frymën e marrëveshjes së normalizimit.

Kujtojmë se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kishte thënë se është “i kënaqur” me rezultatet e një takimi “të frytshëm” midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe udhëheqësve arabë dhe myslimanë për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza.

Ndjenja pozitive u pasqyrua edhe nga Trump, i cili tha se takimi i së martës me “të gjithë lojtarët e mëdhenj përveç Izraelit” në margjinat e Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kishte qenë “i suksesshëm”, ndërsa Izraeli vazhdon të bombardojë pa pushim qytetin e Gazës, të vrasë dhjetëra palestinezë çdo ditë dhe të zhvendosë me forcë dhjetëra mijëra njerëz drejt një fati të panjohur.

Megjithatë, ende nuk janë publikuar detaje mbi takimin, në të cilin morën pjesë udhëheqësit e Egjiptit, Indonezisë, Jordanisë, Pakistanit, Katarit, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilët u cilësuan nga Trump si “grupi që mund ta bënte këtë”. /Telegrafi/