Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar një raund të ri tarifash të ashpra ndaj disa mallrave të importuara, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendas dhe nxitjen e zhvendosjes së fabrikave në territorin amerikan.
Njoftimi u bë publik përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social, ku Trump bëri të ditur se masat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 tetor 2025.
Sipas planit, të gjitha ilaçet e markës dhe ato të patentuara që importohen në SHBA do të përballen me një tarifë prej 100%, përveç rasteve kur kompania importuese është duke ndërtuar ose ka filluar ndërtimin e një fabrike prodhuese brenda SHBA-së.
Trump tha se kjo masë synon t’i detyrojë kompanitë farmaceutike të transferojnë kapacitetet e tyre prodhuese në tokën amerikane, në mënyrë që të ulet varësia nga tregjet e huaja dhe të rritet siguria kombëtare.
Përveç industrisë farmaceutike, masa të reja tarifore do të aplikohen edhe në sektorë të tjerë. Trump njoftoi vendosjen e një tarife prej 25% mbi të gjithë kamionët e rëndë të importuar, duke argumentuar se ky sektor është jetik për infrastrukturën kombëtare dhe për mirëqenien e ekonomisë amerikane.
Ai shtoi se masa do të ndihmojë kompanitë prodhuese amerikane si Peterbilt, Kenworth dhe Freightliner, të mbrohen nga ajo që ai e quajti “konkurrencë e padrejtë nga jashtë”.
Tarifat e reja do të prekin gjithashtu edhe sektorin e mobilieve dhe pajisjeve të shtëpisë. Një tarifë prej 50% do të vendoset për dollapët e kuzhinës dhe lavamanët e banjove, ndërsa mobiljet dhe tapiceritë do të përballen me një tarifë prej 30%.
Sipas presidentit, këto produkte po “përmbytin tregun amerikan” dhe po dëmtojnë prodhuesit vendas, ndaj është e nevojshme të ndërmerren masa të forta për mbrojtjen e industrisë kombëtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!