Drejtori i Bibliotekës Presidenciale Eisenhower, Todd Arrington, ka dhënë dorëheqje pasi kundërshtoi dhurimin e një shpate nga koleksioni për Mbretin Charles III-të gjatë vizitës së fundit shtetërore të presidenti amerikan, Donald Trump.
Todd Arrington dha dorëheqje të hënën, pasi iu tha të “jepte dorëheqjen ose do të shkarkohej”, tha ai për CBS News, i cili nuk specifikoi se kush ia përcolli këtë mesazh historianit.
Biblioteka dhe muzeu, që ndodhen në qytetin e lindjes së ish-presidentit amerikan, Dwight D. Eisenhower në Abilene, Kansas, janë pjesë e Administratës Kombëtare për Arkivat dhe Regjistrat (NARA).
Arrington, sipas raporteve, kishte kundërshtuar kërkesën nga administrata Trump që Mbretit Charles III-të t’i dhurohej një nga shpatat e Eisenhowerit, që do të simbolizonte marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe të nxirrte në pah bashkëpunimin mes dy vendeve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Para se të bëhej president në vitin 1953, Eisenhower udhëhoqi forcat aleate kundër Gjermanisë naziste, raporton theguardian.
– YouTube www.youtube.com
Në fund, administrata Trump ia dha Charlesit një kopje të shpatës, të dhuruar nga Akademia Ushtarake West Point, ku Eisenhower e kishte nisur karrierën ushtarake.
New York Times raportoi se shkarkimi i Arrington mund të ketë qenë gjithashtu i lidhur me debatet rreth planeve për ndërtimin e një qendre të re edukative në Bibliotekën Eisenhower.
Në një intervistë për Daily Mail të enjten, Arrington deklaroi se po përpiqet të rikthehet në detyrë.
“Jam shumë i trishtuar dhe i mërzitur, dhe sinqerisht i shkatërruar. Kam tentuar të kontaktoj drejtuesit e Arkivit Kombëtar për t’u thënë se jam i gatshëm të bëj gjithçka që duhet për ta përmbysur këtë situatë”, tha ai.
Shtëpia e Bardhë nuk ka reaguar menjëherë ndaj kërkesës për koment nga agjencia e lajmeve AFP.
Dorëheqja e Arrington, i cili kishte një karrierë disadekadëshe në administratën federale, ndodh në një moment kur Trump po vendos kontroll të paparë mbi institucionet kulturore amerikane. Ai ka ndërmarrë shkarkime masive të anëtarëve të komisioneve tradicionalisht jopartiake ose bipartiake, duke vendosur në vend të tyre aleatët e tij. /Telegrafi/