Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që lejon krijimin e një kompanie të re amerikane për të marrë kontrollin e operacioneve të TikTok në Shtetet e Bashkuara.
Ky veprim synon të adresojë shqetësimet për sigurinë kombëtare, sipas ligjit të vitit 2024, që parashikon ndalimin e aplikacionit nëse pronësia kineze nuk largohet.
Trump ka shtyrë afatin e zbatimit të ndalimit të TikTok deri më 20 janar 2026, për të lejuar realizimin e marrëveshjes. Sipas urdhrit të ri të nënshkruar një ditë më parë, kompania amerikane që do të marrë kontrollin vlerësohet rreth 14 miliardë dollarë, një shumë më e ulët nga ajo që kishin parashikuar disa analistë të tregut.
Zëvendëspresidenti JD Vance tha se algoritmi i TikTok, pjesa më kritike e teknologjisë së platformës, do të ritrajnohet dhe monitorohet nga partnerë të sigurisë dhe do të jetë nën kontrollin e plotë të kompanisë së re amerikane. Investitorët do të kontrollojnë algoritmin që fuqizon versionin amerikan të TikTok, dhe amerikanët do të mbajnë gjashtë nga shtatë vendet në bordin e drejtorëve që do ta mbikëqyrin atë. Sipas urdhrit ekzekutiv të nënshkruar nga Trump, Kina do të zotërojë më pak se 20% të sipërmarrjes së re të përbashkët.
Ndër investitorët që pritet të jenë pjesë e marrëveshjes janë emra të njohur si: Michael Dell (CEO i Dell Technologies), Rupert Murdoch (Fox Corp dhe News Corp) dhe disa të tjerë të përshkruar si “investitorë të klasit botëror”.
Trump tha se ka biseduar me Presidentin kinez Xi Jinping, i cili sipas tij ka dhënë miratimin për planin. Megjithatë, TikTok dhe Ambasada Kineze në SHBA nuk kanë komentuar ende zyrtarisht.
Sipas marrëveshjes, TikTok amerikan do të përdorë një algoritëm të ri i cili do të bazohet në versionin ekzistues, por i ritrajnuar në të dhënat e përdoruesve amerikanë, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
“Partnerët e besuar të sigurisë do të monitorojnë përditësimet e softuerëve, algoritmet dhe rrjedhat e të dhënave,” thuhet në urdhrin ekzekutiv.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!