Trump me paralajmërim të fortë për Venezuelën: Nëse rrezikojnë anijet amerikane, avionët do të rrëzohen

news image

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se aeroplanët luftarakë venezuelianë do të rrëzohen nëse fluturojnë mbi anijet detare amerikane dhe i vendosin ato “në një pozicion të rrezikshëm”.

Deklarata e tij vjen pasi Venezuela fluturoi aeroplanë ushtarakë pranë një anijeje amerikane në brigjet e Amerikës së Jugut, për herë të dytë brenda dy ditësh, kanë thënë zyrtarët amerikanë.

Këto zhvillime ndodhën pas një sulmi amerikan kundër një “anijeje që transportonte drogë nga Venezuela” dhe që sipas administratës së Trumpit operohej nga një bandë kriminale. Si pasojë e këtij sulmi mbetën të vrarë 11 persona, ka raportuar BBC.

Nga ana tjetër, presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, ka mohuar akuzat e SHBA-së, duke thënë se dallimet mes dy vendeve nuk justifikojnë një “konflikt ushtarak”.

“Venezuela ka qenë gjithmonë e gatshme të flasë, të angazhohet në dialog, por ne kërkojmë respekt”, ka thënë Maduro.

I pyetur nga gazetarët në Zyrën Ovale se çfarë do të ndodhte nëse aeroplanët luftarakë venezuelianë përsëritnin fluturimet mbi anijet amerikane, Trump është përgjigjur se Venezuela do të ishte në “telashe”. Ai i ka dhënë dritën jeshile gjeneralit të tij që të veprojë nëse situata përshkallëzohet.

Ndryshe, që nga rikthimi i tij në detyrë në janar, Trump ka rritur ndjeshëm përpjekjet për të luftuar trafikimin e drogës në Amerikën Latine.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/