Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbrëmë kërcënoi se “gjëra të këqija” do t’i ndodhnin Afganistanit nëse SHBA nuk do të kthente kontrollin e Bazës Ajrore të Bagramit dhe refuzoi të përjashtonte dërgimin e trupave për ta rimarrë atë.
“Nëse Afganistani nuk ua kthen Bazën Ajrore të Bagramit atyre që e ndërtuan, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, GJËRA TË KËQIJA DO TË NDODHIN!”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara ishin përpjekur të rifitonin kontrollin e bazës së përdorur nga forcat amerikane pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Ai njoftoi gjithashtu se po e diskutonte çështjen me Afganistanin, shkruan Reuters.
Bëhet e ditur se tërheqja e forcave amerikane në vitin 2021 çoi në marrjen e bazave amerikane nga talebanët dhe rrëzimin e qeverisë së mbështetur nga SHBA në Kabul.
Zyrtarët afganë kanë shprehur kundërshtim ndaj kthimit të pranisë ushtarake amerikane.
Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë po paralajmërojnë privatisht se rimarrja e Bazës Ajrore të Bagramit në Afganistan mund të duket si një pushtim i ri i vendit, që kërkon më shumë se 10,000 trupa dhe vendosjen e sistemeve të përparuara të mbrojtjes ajrore.
Trump, i cili më parë ka thënë se dëshiron që SHBA të fitojë territore dhe vende strategjike që variojnë nga Kanali i Panamasë deri në Grenlandë, është dukur veçanërisht i përqendruar në Bagram për vite me radhë.
I pyetur dje nëse do të dërgonte trupa amerikane për të rimarrë bazën, Trump nuk u përgjigj drejtpërdrejt, duke thënë: “Nuk do të flasim për këtë.”
“Po flasim me Afganistanin tani dhe e duam atë përsëri, e duam përsëri së shpejti, menjëherë. Dhe nëse nuk e bëjnë – nëse nuk e bëjnë, do ta zbuloni se çfarë do të bëj unë”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Ndryshe, aeroporti i gjerë ishte baza kryesore për forcat amerikane në Afganistan gjatë dy dekadave të luftës që pasuan sulmet e 11 shtatorit 2001 në New York dhe Uashington.
Baza dikur strehonte restorante të ushqimit të shpejtë si Burger King dhe Pizza Hut për ushtarët amerikanë, si dhe dyqane që shisnin gjithçka, nga elektronika te qilimat afganë. Ajo gjithashtu strehonte një kompleks të madh burgu.
Ekspertët thonë se baza ajrore fillimisht do të ishte e vështirë për t’u siguruar dhe do të kërkonte një fuqi të madhe njerëzore për ta operuar dhe mbrojtur atë.
Edhe nëse talebanët do të pranonin një kthim të SHBA-së në Bagram pas negociatave, baza do të duhej të mbrohej nga një numër kërcënimesh, duke përfshirë luftëtarët e Shtetit Islamik dhe al-Kaedas brenda Afganistanit.
Ajo do të ishte gjithashtu e ndjeshme ndaj kërcënimit të raketave të përparuara nga Irani, i cili sulmoi një bazë të madhe ajrore amerikane në Katar në qershor, pasi Shtetet e Bashkuara kryen sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane. /Telegrafi/