Donald Trump ka njoftuar se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të paqes në Gaza.
Presidenti amerikan ka thënë se “kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord si hapat e parë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të përjetshme”.
Ai më pas shton se “të gjitha palët do të trajtohen në mënyrë të drejtë” përpara se të falënderojë ndërmjetësit dhe kombet e përfshira “që punuan me ne për ta bërë të mundur këtë ngjarje historike dhe të paparë”.
Dhe pas kësaj kanë ardhur reagimet e pare.
Kryeministri i Katarit ka qenë ndër të parët që ka bërë një deklaratë mbi planin e paqes në Gaza.
“Ndërmjetësit njoftuan se sonte u arrit një marrëveshje mbi të gjitha kushtet dhe mekanizmat për zbatimin e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza”, ka bërë të ditur ai.
Ai ka shtuar se ajo po “çon në fund të luftës, lirimin e të paraburgosurve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë dhe hyrjen e ndihmave”.
Kryeministri thotë se detaje të mëtejshme do të publikohen më vonë.
Ndërkohë edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i është përgjigjur marrëveshjes me një deklaratë me një rresht duke iu referuar pengjeve izraelite në Gaza.
“Me ndihmën e Zotit, do t’i kthejmë të gjithë në shtëpi”, tha ai në një deklaratë të lëshuar nga zyra e shtypit e qeverisë izraelite.
Në anën tjetër, Hamasi ka thënë se është pajtuar me propozimin “me qëllimin e arritjes së një fundi të luftës shfarosëse kundër popullit tonë palestinez dhe tërheqjes së pushtuesit nga Rripi i Gazës”.
Grupi militant më pas thekson: “Ne i vlerësojmë shumë përpjekjet e vëllezërve tanë ndërmjetësues në Katar, Egjipt dhe Turqi. Ne gjithashtu i vlerësojmë përpjekjet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili kërkon të sjellë një fund përfundimtar të luftës dhe një tërheqje të plotë të pushtimit nga Rripi i Gazës”.
Hamasi më pas i ka bërë thirrje Trump dhe kombeve të tjera që “ta detyrojnë qeverinë pushtuese të zbatojë plotësisht kërkesat e marrëveshjes dhe të mos e lejojë atë të shmangë ose vonojë zbatimin e asaj për të cilën është rënë dakord”. /Telegrafi/