Forcat detare të Shteteve të Bashkuara goditën një tjetër anije që dyshohet se mbante drogë të paligjshme pranë brigjeve të Venezuelës të shtunën në mbrëmje, njoftoi presidenti i ShBA-së, Donald Trump, gjatë një fjalimi të mbajtur të dielën.
Duke folur nga stacioni detar “Norfolk”, pranë aeroplanmbajtëses “Harry S. Truman”, Trump deklaroi se ShBA do të zgjerojë operacionet kundër trafikut të drogës edhe në tokë.
“Në javët e fundit, marina ka mbështetur misionin tonë për të shkatërruar plotësisht terroristët e kartelit… bëmë një tjetër mbrëmë. Tani thjesht nuk po gjejmë asnjë”, tha Trump.
Ai shtoi se ndryshimet në strategjinë e trafikantëve do të kërkojnë përgjigje të re nga forcat amerikane:
“Ata nuk po vijnë më nga deti, kështu që tani do të duhet të fillojmë të kërkojmë në tokë sepse do të detyrohen të shkojnë nga toka”, shkruan Reuters.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse presidenti po i referohej të njëjtit sulm që ishte bërë publik të premten nga Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!